Reshjet e borës, mbesin pa energji fshatrat e Malësisë

Maqedonia

Reshjet e borës, mbesin pa energji fshatrat e Malësisë

Më: 14 shkurt 2018 Në ora: 17:36
ilustrim

Probleme me furnizim me energjinë elektrike, ujë dhe rrugë të bllokuara, kanë shkaktuar reshjet e dendura të borës që kanë kapluar pjesët jug-perëndimore të Maqedonisë.

Pa furnizim me energji elektrike janë pjesë e vendbanimeve të rajoneve malore të Ohrit, Strugës, Kërçovës, Gostivarit, Resnjë dhe rajonin e rrethinës, rajonit të Rekës, rajonit të Mavrovës dhe disa fshatra malore të rajonit të Tetovës.

Nga EVN thonë se ekipet e tyre gjatë ditës së djeshme i sanuan defektet në më shumë vendbanime, përveç vendbanimeve ku kishte problem me qasjen për shkak të sasive të mëdha të dëborës dhe rrëshqitjeve të dëborës në rrugë. Që sot në mëngjes ekipet janë vazhdimisht në terren dhe me sanimin e defekteve.

Edhe komunikacioni në rrugët e Maqedonisë po shkon drejt normalizimit pas rreshjeve të dendura të borës.

Komunikacioni në aksin rrugor Mavrovë- Dibër, nga ora 12 po zhvillohet normalisht, kanë njoftuar nga “Rrugët e Maqedonisë”. Ndalimi ishte vendosur mëngjesin e sotëm nga ora gjashtë e mëngjesit, për shkak të një orteku të ri në afërsi të Manastirit Bigorski që ka bllokuar rrugën.

Është normalizuar komunikacioni edhe në Kodrën e Diellit, në pikë-kalimin kufitar Qafa e Hanës dhe në Strazhë. Komunikacioni në akset tjera rrugore po zhvillohet në korsi të lagura.

“Rrugët Maqedoni”, apelojnë për kujdesje gjatë vozitjes dhe përshtatje të shpejtësisë sipas kushteve në rrugë.

Edhe sot për sot parashikimet e motit janë se do të ketë reshje të borës në pjesët perëndimore të vendit.

Të enjten në pjesët perëndimore dhe jugore do të ketë reshje kryesisht të borës të cilat do të jenë me intensitet të dobët deri në mesatare. Pastaj moti do të jetë stabil me temperatura të ulëta të mëngjesit. Reshje të reja pritet nga fillimi i javës tjetër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat