"35 mijë amendamentet e VMRO-DPMNE-së, lojëra të vjetra politike"

Maqedonia

"35 mijë amendamentet e VMRO-DPMNE-së, lojëra të vjetra politike"

Më: 13 shkurt 2018 Në ora: 16:54
Ilustrim

Mungesa e shumicës stabile parlamentare por edhe lojërat e ndryshme politike, mund të zvarrisin deri në pafundësi miratimin e Ligjit të Gjuhëve.

Për këtë arsye ekspertët vlerësojnë se zgjidhje për këtë duhet të arrihet sa më shpejtë që është e mundur. Eksperti Todor Pendarov, thotë se është e padyshimtë nevoja e sjelljes së këtij ligji, por me 35 mijë amendamentet e VMRO-DPMNE-së, zgjidhja e shpejtë mund të jetë vetëm politike.

“Nëse fillohet sipas procedurës që e kërkon Rregullorja, atëherë së paku katër ose pesë muaj Kuvendi duhet të merret vetëm me ato 35 mijë amendamente. Do të thotë duhet të gjendet zgjidhje politike. Unë shpresoj se partitë parlamentare do ta kuptojnë në çfarë momenti ndodhemi tani edhe si shtet, edhe si shoqëri edhe si qytetarë dhe se do të gjejnë zgjdihje politike për këtë. Si do të jetë ajo zgjidhje politike nuk mund të prejudikoj por sidoqoftë në mënyrë institucionale dhe me Rregullore kjo është e bllokuar”, Todor Pendarov, Ekspert.

Nga ana tjetër, gazetari Isen Saliu, 35 mijë amendamentet e VMRO-DPMNE-së i sheh si skenare tashmë të vjetra për lojëra politike. Saliu thotë se është shumë e dyshimtë pse VMRO-DPMNE vendosi të parashtrojë aq shumë amendamente kundër ligjit në kohën kur kjo parti kërkoi falje publike për politikat e gabuara kundër shqiptarëve.

“Krijon dyshimin që dikujt i konvenon në këtë moment, jo aq shumë VMRO-DPMNE-së por dikujt tjetër, VMRO ta luaj rolin e të keqit ndaj shqiptarëve dhe të krijohet një bllokadë e cila më vonë kur të tejkalohet, të na dalë në shesh si e rrejshme për një rritje të rrejshme dhe atë të na paraqesin si zyrtzarizim të plotë të gjuhës shqipe. Mendoj se tek shqiptarët nuk do të kalojë. Mendoj se mundësitë që i ofron rregullorja në këtë drejtim janë shumë precize, janë shumë koncioze dhe vetëm duhet aplikim i tyre nga ana e kryparlamentarit Talat Xhaferi”, Isen Saliu, gazetar.

Gazetari Isen Saliu vlerëson se duhet sa më shpejtë të fillojë implementimi i Ligjit të ri për gjuhët me ndryshimet e bëra dhe të shihet se në fakt me këtë ligj nuk zyrtarizohet gjuha shqipe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat