Këtë javë fillojnë bisedimet përfundimtare për çështjen e emrit

Maqedonia

Këtë javë fillojnë bisedimet përfundimtare për çështjen e emrit

Më: 12 shkurt 2018 Në ora: 15:45
Ilustrim

Kjo javë do të shënojë fillimin e negociatave më serioze për emrin. Ndonëse as nga Shkupi e as Athina zyrtare nuk konfirmojnë agjendën e takimit të dy shefave të diplomacive, Dimitrov dhe Kocijas në Sofje gjatë ditëve të ardhshme, pritjet janë të mëdha.

Athina takimet e mundshme në Sofje, më 15 dhe 16 shkurt i sheh si test të strategjive diplomatike. Ndryshe, pos në Sofje në kuadër të takimit joformal me homologët e vendeve anëtare të BE-së, shefat e diplomacive të Shkupit e Athinës pritet të takohen së shpejti edhe me ndërmjetësuesin e OKB-së për emrin, Metju Nimic. Mediat greke gjithashtu shkruajnë për një takim të mundshëm në nivel kryeministrash. E përditshmja greke, Ekathimerini shkruan se me këto takime do të fillojnë negociatat e vërteta “operative”. Ndërsa draft-propozimi që do të përpilohet nga pala greke, do të jetë baza e diskutimeve për zgjidhjen e kontestit shumëvjeçare. Sipas mediave greke, Gorna Makedonija, si emër i papërkthyeshëm është më favoriti nga propozimet e mundshme, megjithëse palët akoma nuk kanë negociuar për identitetin dhe gjuhën.

Kryeministri grek, Aleksis Cipras në mbledhje të grupit parlamentar të partisë Syriza, ka thënë se përdorimi i termit “Maqedoni” as që kontestohet, pasi Greqia e ka pranuar atë qysh në vitin 1992 me IRJM-në. Por se negociatat sipas tij, bëhen që shteti fqinj të ndalë së përdoruri termin “Maqedoni” pa përcaktues dhe me simbole që nuk i përkasin atij. Cipras megjithatë theksoi nevojën për ndryshime kushtetuese, për emër erga omnes.

Kjo zgjidhje nuk mund të jetë gjë tjetër pos një emër kompleks me fuqi për të gjithë, për të gjitha përdorimet. Kjo, natyrisht që presupozon ndryshime kushtetuese, në mënyrë që emri në të vërtetë të jetë për të gjitha përdorimet. Por kjo gjithashtu përfshin edhe tërheqjen e çdo dyshimi për papërgjegjshmëri kudo qoftë – deklaroi Aleksis Cipras, Kryeministër i Greqisë.

Ndërkohë lideri i partisë opozitare, “Potami”, Stavros Teodorakis i bën thirrje Shkupit të heq dorë nga irredentizmi, duke theksuar se partia e tij pranon termin “Gorna Makedonija”.

Ne guxojmë dhe marrim përgjegjësinë dhe themi se e pranojmë termin ‘Gorna Makedonija’, të papërkthyer siç iu propozua fqinjëve tanë. Kërkojmë nga ata të ndryshojnë librat e tyre, kërkojmë që të lirohen nga irredentizmi, por iu themi atyre, kur të bëhet kjo, ne do t’ua zgjasim duart dhe do të merremi vesh, sepse, siç ka thënë Kamy, e që vlen edhe për to edhe për ne: ‘E dua shumë atdheun tim, për të qenë nacionalist -tha  Stavros Teodorakis, Partia “Potami”.

Teodorakis thekson se Greqia nuk do të dominojë në rajon nëse vendos veto, por nëse është fuqi ekonomike dhe kulturore. Për emrin u prononcua edhe ish kryeministri bullgar, Gjorgji Parvanov, i cili porositi palët të mos negociojnë mbi propozime që do të ishin në kundërshtim me interesat e Bullgarisë, siç janë: Gorna Makedonija dhe Severna Makedonija, respektivisht Maqedonia e Epërme dhe Maqedonia Veriore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat