Qytetarët e Maqedonisë të ndarë për referendumin rreth çështjes së emrit

Maqedonia

Qytetarët e Maqedonisë të ndarë për referendumin rreth çështjes së emrit

Më: 5 shkurt 2018 Në ora: 10:15
Maqedoni

Njëjtë sikurse politika edhe qytetarët janë të ndarë në qëndrime nëse duhet ose jo të mbahet referendum për emrin pas një zgjidhje eventuale midis Maqedonisë dhe Greqisë. Një pjesë e qytetarëve të anketuar nga Alsat thonë se çdoherë duhet të pyetet populli, ndërsa disa të tjerë thonë se politikanët paguhen për të marrë vendime të rëndësishme.

“Mendoj se politikanët paguhen që të mendojnë e jo populli. Nëse ata vendosin se duhet të jetë kështu, le të bëhet”.

“Duhet të vendosë populli në referendum. Populli ka zgjedhur Qeverinë. Megjithatë po zgjidhet një çështje për të cilën duhet të pyetet populli”.

“Nuk mundet 60 persona të vendosin për 2 milion, maqedonas, shqiptarë, turq, bullgar, serb… mendoj se populli duhet të pyetet për këtë.”

“As njëra e as tjetra. Ne tashmë kishim referendum për emrin. Miratimi i Kushtetutës praktikisht është referendum për emrin”, shprehen qytetarët.

Ndasitë për këtë çështje nuk janë vetëm tek qytetarët, por edhe në vetë koalicionin qeverisës. Kryeministri Zoran Zaev disa herë është shprehur se gjatë gjetjes së çfarëdo zgjidhje, fjalën e fundit do ta kenë qytetarët në referendum. Por, kështu nuk mendon partneri i koalicionit BDI.

Integristët edhe më tej mbajnë qëndrimin se referendumi nuk është i nevojshëm pasi vetëm mund t’i komplikojë gjërat. Një pjesë e analistëve që konsiderojnë se referendumi është i mundshëm duke bashkangjitur dy pyetje, përkatësisht A jeni për aderim të vendit në NATO dhe për ndryshimin e referencës të përkohshme IJRM me zgjidhjen e re eventuale për emrin.

Megjithatë, njohësit e çështjeve theksojnë se është herët të mendohet për referendum pasi Maqedonia dhe Greqia edhe më tej janë larg zgjidhjes finale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat