Maqedonia, një nga vendet me transparencë më të keqe buxhetore

Maqedonia

Maqedonia, një nga vendet me transparencë më të keqe buxhetore

Më: 30 janar 2018 Në ora: 16:01
Ilustrim

Maqedonia është renditur mes vendeve me transparencë më të keqe buxhetore në botë, kumtoi sot Qendra për Analiza Ekonomike (QAE), duke iu referuar hulumtimit “Buxhet i hapur (OBI) 2017” të Partneritetit Buxhetor Ndërkombëtar (PBN).

Sipas QAE, pas erozionit të disiplinës fiskale dhe keqpërdorimit më të gjerë të Qeverisë paraprake para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare kur shteti ishte etiketuar si i “robëruar”, raporti më i madh i pavarur global zbuloi se Qeveria e re  e Maqedonisë mund ta përmirësojë  transparencën në mënyrë të shpejtë, me pak shpenzime dhe përpjekje.

“Edhe pse është bërë shumë pas ndërrimit të Qeverisë paraprake e cila e ka eroduar disiplinën fiskale dhe transparencën, ende shumë duhet të bëhet. Maqedonia duhet ta përmirësojë  Propozim-buxhetin dhe të ofrojë më shumë informata buxhetore, të sigurojë më shumë pjesëmarrje të qytetarëve në procesin buxhetor dhe ta përforcojë  kontrollin e buxheteve edhe te ligjdhënësi edhe te revizioni shtetëror”, tha kryetari i QAE -së Marjan Nikollov në konferencën për shtyp.

Sipas tij, Maqedonia është me rezultat zero në vlerësimin e OBI-së për atë nëse Qeveria i mundëson opinionit pjesëmarrje në procesin buxhetor.

“Pa mundësi për pjesëmarrje aktive të qytetarëve, veçanërisht kategorive të margjinalizuara ose të prekura,  sistemi buxhetor mund t’u shërbejë vetëm  elitave të fuqishme. Qeveria, Kuvendi  dhe Enti Shtetëror për Revizion duhet të ndërmarrin masa  që të përmirësohet përfshirja e qytetarëve në procesin buxhetor dhe në ciklet buxhetore”, potencon Nikollov.

Kërcënimi potencial për Maqedoninë, shtoi kryetari i QAE-së, është ajo që nuk ka sistem të fuqishëm dhe praktikë  të llogaritjes buxhetore për shkak të së cilës janë rrezikuar mundësitë për realizimin e qëllimeve zhvillimore.

“Qeveria duhet ta përmirësojë vëllimin e informatave në dokumentet buxhetore, ndërsa Kuvendi duhet ta rrisë mundësinë për përfshirje të ekspertëve  dhe qytetarëve të cilët së bashku  me deputetët do t’i diskutojnë  raportet e revizionit. Enti Shtetëror për Revizion, sërish, duhet të mundësojë përfshirje më transparente”, nënvizoi Nikollov.

OBI 2017 përfshin  115 vende, ndërsa afati përfundimtar për plotësimin e pyetësorit ishte 31 dhjetori i vitit 2016. Maqedonia merr pjesë në këtë hulumtim nga viti 2008./

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat