Zaev: Maqedonia do të jetë qendër transportuese në Ballkan

Maqedonia

Zaev: Maqedonia do të jetë qendër transportuese në Ballkan

Më: 7 dhjetor 2017 Në ora: 13:36
Zoran Zaev në Konferencën ndërkombëtare “Integrim më i fuqishëm rajonal i Ballkanit”, që po mbahet në Sofje

Maqedonia dëshiron të marrë pjesë në të gjitha projektet rajonale dhe mund të jetë qendër transportuese në Ballkan sepse përmes saj kalojnë dy korridore të rëndësishme, 8 dhe 10, theksoi kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev në Konferencën ndërkombëtare “Integrim më i fuqishëm rajonal i Ballkanit”, që po mbahet në Sofje.

Zaev theksoi se përmes Maqedonisë me Korridorin 8 ndërlidhen Deti i Zi dhe ai Adriatik, gjegjësisht Bullgaria dhe Shqipëria, ndërsa me Korridorin 10 Greqia dhe Evropa Qendrore. Zaev pret që bashkëpunimi në rajon dhe afrimi i tij drejt BE-së të jetë edhe më shumë i përshpejtuar gjatë kryesimit të ardhshëm të Bullgarisë me Unionin.

Kryeministri bullgar Bojko Borisov, i cili e hapi Konferencën, bëri thirrje për unitet më të madh të vendeve të rajonit që, sipas tij, do ta përshpejtojë integrimin e tij.
“Kemi shans të rrallë që t’i bindim kolegët në Bruksel se ne sjellim edhe urtësi, e jo vetëm probleme. Historia është histori dhe ka kush ta komentojë. BE-ja do të na kuptojë vetëm nëse tregojmë unitet. Evropa ka mjaft probleme me Bregzitin dhe nuk i nevojiten të reja. Ne duhet të dalim para Brukselit me projekte të mira infrastrukturore”, deklaroi Borisov.
Drejtoresha e përgjithshme ekzekutive e Bankës Botërore Kristalina Georgieva paralajmëroi se Banka është e gatshme të ndajë 200 milionë dollarë për projekte për zhvillimin e tregtisë dhe transportit në Ballkan. Theksoi se ka potencial të madh në integrimin e vendeve të rajonit që mund të fillojë të demonstrohet që me kryesimin e ardhshëm bullgar me BE-në.
Banka Botërore, siç theksoi, do të përqendrohet më seriozisht në sektorin transportues.

Kryeministri shqiptar Edi Rama tha se vetëm para tre viteve shpresat evropiane të Tiranës dukeshin të pamundura. Ai e theksoi avancimin në bashkëpunimin mes vendeve në rajon që sjell deri te pajtimi dhe drejtimi i vendeve drejt ardhmërisë, e jo drejt të kaluarës. Shqipëria, theksoi Rama, është e inkurajuar nga ajo që Serbia dhe Mali i Zi tashmë zhvillojnë negociata për anëtarësim në BE, ndërsa pret në atë proces së shpejti të hyjnë edhe Shkupi dhe Tirana. Projektet e paralajmëruara të parapara me Procesin e Berlinit, kryeministri shqiptar pret të bëhen realitet, e jo të mbesin vetëm
premtime boshe.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se se të gjitha vendeve e Ballkanit Perëndimor duhet t’u jepet perspektivë e qartë evropiane dhe BE-ja të ketë qasje gjeostrategjike për rajonin. Sipas tij vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të hyjnë në BE në bllok, që të sigurohet paqja dhe bashkëpunimi afatgjatë në rajon.
Kryeministrja serbe Ana Bërnabiq theksoi se Beogradi është drejtuar drejt bashkëpunimit me vendet në rajon. Theksoi se Serbia do të jetë partner aktiv dhe i fuqishëm në të gjitha projektet infrastrukturore në Ballkanin Perëndimor. Si prioritet për Serbinë e theksoi përfundimin e Korridorit 10. Bërnabiq theksoi se edhe Beogradi pret që shumë shpejt Maqedonia dhe Shqipëria t’i fillojnë negociatat për anëtarësim në BE sepse atë e meritojnë.

Në Konferencën në Sofje bisedohet për lehtësimet kufitare në rajon, për intensifikimin e tregtisë, si dhe klasterët rajonal TI dhe teknologjik, ndërsa marrin pjesë edhe presidentët e Malit të Zi Filip Vujanoviq, zëvendëskryeministri dhe ministër i Tregtisë së Beh-së Mirko Sharoviq, si dhe komisari evropian për zgjerim dhe politikë fqinjësore Johanes Han.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat