Këshilli i investitorëve të huaj dhe Oda Ekonomike e Maqedonisë organizojnë forum biznesi dhe takime bilaterale mes investuesve të huaj dhe kompanive vendore të cilat kanë potencial për t’u bërë furnizues të tyre.
Siç kumtoi Oda, ky aktivitet i ndërlidhjes afariste është në pajtim me Programin e Këshillit të investuesve të huaj. Mbështetja për këtë lloj bashkëpunimi është edhe një nga prioritetet e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë me qëllim të një ekonomie më inkluzive dhe më integruese.
Për mundësitë dhe benefitet nga bashkëpunimi i kompanive të huaja me ato vendore, në forumin e biznesit do të flasin zëvendëskryeministri Koço Angjushev, kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë, Branko Azeski, kryetari i Këshillit të investuesve të huaj, Shtefan Peter dhe kryesuesi i Asociacionit të industrisë automobilistike pranë Këshillit të investuesve të huaj, Avram Stojçevski.