Arrestimi i “të mëdhenjve” flasin analistët shqiptarë në Maqedoni

Maqedonia

Arrestimi i “të mëdhenjve” flasin analistët shqiptarë në Maqedoni

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 28 nëntor 2017 Në ora: 11:56
Dhuna ne Kuvend

Mëngjesi i sotëm në Maqedoni ka filluar me arrestime të shumta. Ish- ministri i Punëve të Brendshme dhe  drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Mitko Çavkov, si dhe disa persona tjerë janë arrestuar sot me urdhër të Prokurorisë Publike, për ngjarjet e 27 prillit në Kuvend.

Sipas strukturave më të ulëta të MPB-së, Çakov nuk ka dhënë urdhër për veprim të policisë, me çka ka çuar në rrezik jetën e deputetëve dhe gazetarëve. Kurse,  në mesin e të ndaluarve janë deputeti Luben Arnaudov, aktori Vllado Jovanovski, Goran Angellov – Qoseto nga Velesi, deputetja Zhaklina Stefanovska, deputeti Kërsto Mukoski, ish drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor Sashe Stefanovski.

Në raportimet mediale, policia ka bastisur edhe shtëpinë e një deputeti shqiptar identiteti të cilit nuk bëhet i ditur.

Duke folur rreth këtyre arrestimeve, analistët shprehen se gjyqësori në Maqedoni duhet të flasë si asnjëherë më parë.

Analisti politik, Xhenis Sulimani, ka thënë për “Bota sot” se arrestimet e disa protagonisëtve për ngjarjet e 27 prillit në Kuvend, japin shpresë se drejtësia po vjen në Maqedoni.

Sipas Sulimanit, drejtësia duhet të flasë dhe kjo qeverisje të mos lejojë përsëritjen e regjimit të mëparshëm.

“Arrestimet e fundit të disa prej protagonistëve të terrorit të 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë japin shpresë se drejtësia po vjen në Maqedoni. Gjyqësori në Maqedoni, përfundimisht, duhet ta thyejë maksimën “drejtësia vonon”. Drejtësia duhet të flet si asnjëherë më parë. Njëjtë sikur është zotuar kjo qeverisje e re e sistemit “se asnjëherë nuk do të lejojë të përsëritet regjimi i mëparshëm”. E që të mos na përsëriten gabimet, qeveria e a.q. reformatore duhet ta bëjë të kundërtën e asaj që e ka bërë e kaluara. Qytetarët tashmë e kanë kuptuar qëllimin e VMRO-DPMNE-së dhe nuk do ta përkrahin, edhe nëse kjo e fundit tenton për ndonjë turbulencë politike. Elektorati është vetëdijesuar”, ka pohuar Sulimani.

Image
Xhenis Sulimani

Menjëherë pas arrestimit të ish kreut të Byrosë së Sigurisë Publike Mitko Çavkov, deputetëve aktual të VMRO-DPMNE-së, dhe zyrtarëve të tjerë përfshirë edhe aktorë, ka reaguar VMRO-ja duke e quajtur aksionin goditje të siç e kanë quajtur juntë anti-shtetërore të Zoran Zaevit.

“Policia hyri në shtëpitë e deputetëve të VMRO-së, anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv, ish zyrtarëve të partisë dhe të personave të tjerë publik. Policia me urdhër të Zoran Zaevit nuk ka respektuar imunitetin e deputetëve, por thjeshtë urdhrat politik për përballje me ata të cilët mendojnë ndryshe”, thuhet në reagimin e parë të VMRO-së pas arrestimeve masive.

Sipas kësaj partie arrestimet e zyrtarëve të VMRO-së janë përpjekje për heshtjen e opozitës dhe mposhtjen e rezistencës së partisë kundër të gjitha politikave anti-shtetërore të cilat Qeveria i ka realizuar periudhën e fundit. 

Partia e Nikolla Gruevskit i ka ftuar të gjithë mbështetësit dhe simpatizantët e kësaj partie që të dalin në protestë në orën 13 e 30 përpara Gjykatës Themelore në Shkup.

Sipas analistit Sulimani, qytetarët duhet të protestojnë që arrestimet e terrorit të shkaktuar më 27 prill të vazhdojnë dhe përgjegjësit të jenë prapa grilave.

“Mendimi im është që, përkundrazi, qytetarët e lirë duhet të dalin të protestojnë që arrestimet e terrorit të shkaktuar më 27 prill të vazhdojnë dhe përgjegjësit të jenë prapa grilave. Vetëm në këtë mënyrë drejtësia do të fitojë në peshë në Republikën e Maqedonisë, me drejtësi dhe qytetarë syçel për padrejtësitë ndaj interesit të përgjithshëm”, ka  theksuar Sulimani për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat