Maqedonia dhe rekomandimet e BE

Maqedonia

Maqedonia dhe rekomandimet e BE

Më: 24 nëntor 2017 Në ora: 23:56
ilustrim

Autoritetet qeveritare maqedonase po bëjnë përpjekje për përmbushjen e rekomandimeve të Bashkimit Evropian për një periudhë të shkurtër kohore. Sipas planeve, përkatësisht planit të quajtur 3, 6, 9 që janë periudhat 3 mujore, gjashtë dhe 9 mujore brenda të cilave duhet realizuar reforma të caktuara që i kërkon Bashkimi Evropian, Maqedonia premton se deri në fillim të vitit do të miratohen ligjet e rëndësishme në fushën e gjyqësorit, të sigurisë dhe administratës publike.

Maqedoni, reforma në fushën e gjyqësorit, sigurisë dhe administratës publike

Zëvendës-kryeministri Bujar Osmani i ngarkuar me çështjet e integrimit evropian shpreson se pas miratimit të ligjeve kyçe në fushën e gjyqësorit, të shërbimit inteligjent dhe të administratës publike, vendi do të marrë një rekomandim të pastër për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE.

Zoti Osmani thotë se është me rëndësi që të ketë një konsensus shoqëror dhe politik për sa i takon këtyre kushteve.

Qeveria thekson nevojën e përfshirjes së opozitës në realizimin e kërkesave evropiane.

Ndërkaq, një rekomandim të tillë e bëri vetëm para pak ditësh në Shkup Komisioneri për zgjerim të Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, duke thënë se te gjitha palët duhet të përqendrohet tek çështjet me rëndësi kombëtare dhe të lënë interesat personale dhe partiake prapa atyre shtetërore.

Ndërkaq, zëvendës-kryeministri Osmani së shpejti pritet të shkojë në Athinë në vazhdën e zbutjes së atmosferës pas më shumë se dy dekadave të tendosjes së raporteve midis dy vendeve për çështjen e emrit të Maqedonisë.

Maqedonia ka marrë statusin ‘vend kandidat për anëtarësim në BE’ qysh në dhjetor të vitit 2005, madje edhe para Kroacisë, por mungesa e reformave të mirëfillta dhe problemet e krizat e shpeshta të brendshme kanë zvarritur rrugën e saj drejt Brukselit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat