Ri-gjykimi për rastin “Monstra”, familjarët presin lirimin e të burgosurve, avokati optimist

Maqedonia

Ri-gjykimi për rastin “Monstra”, familjarët presin lirimin e të burgosurve, avokati optimist

Më: 24 nëntor 2017 Në ora: 19:41
Arkiv

“Definitivisht presim që të lirohen nga burgu”, kështu shprehet për Portalb.mk, familjari i të dënuarve në rastin “Monstra” Bedri Ajdari, pasi që sot Gjykata Supreme vendosi që lënda të kthehet në ri-gjykim dhe i shfuqizoi vendimet e shkallës së parë dhe të dytë, njofton Portalb.mk.

“Definitivisht presim që të lirohen të dënuarit pasi që ata janë të pafajshëm. Edhe pse kjo është vetëm gjysma e parë e vendimit, por shpresojmë se epilogu përfundimtar do të jetë lirimi i tyre. Kjo është dashur moti të ndodh, por duke e ditur që jetojmë në Maqedoni dhe gjykatat kanë qenë të tilla, kanë qenë të uzurpuara, ne presim që të lirohen tani përfundimisht”, thotë Ajdari.

Avokati i palës mbrojtëse, Naser Raufi, tha shkurt se prej të hënës pritet që të fillojë ri-gjykimi, ndërkaq Gjykata Themelore pritet që të caktojë dhe gjykatësin.

“Prej të hënës ose të martën presim që të fillojë procesi i ri-gjykimit. Kur t’i jepet gjykatësit që e ka gjykuar rastin, atëherë do ta dimë terminin, gjegjësisht datën. Pritet që të jetë i njëjti gjykatës që e ka gjykuar paraprakisht”, thotë Raufi.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Gjykatës Themelore Shkupi 1, Dejan Ristovski, në një deklaratë shkurt tha se “ende nuk e kemi marrë njoftimin zyrtar, ndërkaq pasi e ka publikuar Gjykata Supreme, presim që prej të hënës të fillojë procedura”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat