Reformat në punë, a mundet të bëhen pa punëtorë?!

Maqedonia

Reformat në punë, a mundet të bëhen pa punëtorë?!

Më: 28 tetor 2017 Në ora: 14:41
Ilustrim

Inovacionet teknologjike në vendet industriale të zhvilluara në Evropë paraqesin rrezik për vendet e punës.

Në Maqedoni, teknologjia po vonohet dhe tani për tani disa vende pune nuk kërcënohen që të humben, thonë ekspertët. Por, përkundër kësaj, ata theksojnë se kompanitë do të duhet të përshtaten trendeve të tilla në mënyrë që të jenë konkurruese në treg, shkruan tetovapress.com.

Ndërsa rregullat e reja të punës të propozuara në Francë, opinioni i ekspertëve i quan “reformat e punës për epokën e re”, për punëtorët këto janë një “grusht shteti social”. Ekspertët paralajmërojnë se shumë nga punët e tanishme ka të ngjarë të zhduken për shkak të inovacionit teknologjik, por në të njëjtën kohë punëtorët thonë se të drejtat e tyre të punës do të kërcënohen edhe më shumë.

Në Maqedoni ende nuk ka teknologji si në Evropën Perëndimore, thonë ekspertët, por edhe përskaj kësaj ata thonë se ka një trend në vend me të cilin disa vende pune janë zhdukur me ardhjen e teknologjive të reja. Ata theksojnë se kompanitë maqedonase duhet të përshtaten me këto ndryshime, shkruan TetovaPress.

“Kemi edhe tek ne kompani që kanë futur teknologji të caktuara, të tilla si robotikë, siç janë bankomatat nëpër bankat. E gjitha kjo paraqet zëvendësim për punëtorët dhe ata me të drejtë kanë frikë për vendet e punës në të ardhmen “, thotë Marjan Ristevski nga Konfederata e Sindikatave.

TEKNOLOGJIA E RE ZËVENDËSON PUNËTORIN

Maqedonia tashmë është e hapur për tregjet e huaja, po krijohen zona të lira industriale, thotë Ristevski dhe me hyrjen e kompanive të reja shumëkombëshe në vend do të vijë edhe teknologjitë e reja, shkruan TetovaPress.

“Kjo teknologji, duam apo jo, do të zëvendësojë punëtorë dhe do të zvogëlojë vende pune. Megjithatë nuk ka teknologji që mund të zëvendësojë punëtorin. Puna e bërë nga punëtori është e pazëvendësueshme, “thotë Ristevski.

Se në Maqedoni nuk ka ende teknologji të re në prodhim dhe shërbime, këtë e vë në dukje edhe kryetari i Konfederatës së Punëdhënësve të Maqedonisë, Mile Boshkov. Ai shpjegon se zhvillimi teknologjik për momentin nuk rrezikon vendet e punës në vend, duke thënë se situata do të jetë e tillë në pesë apo dhjetë vitet e ardhshme, sipas tij, përgatitjet për këto ndryshime do të jenë komplekse dhe do të varen nga disa faktorë.

“Kjo është një ngjizje e shumë aktiviteteve ekonomike dhe të biznesit. Se si do të rrjedhin gjërat, do të shkohet me zonat e lira ekonomike për të tërhequr investime të huaja direkte të cilët do të sjellin me vete edhe teknologji dhe praktika të reja, apo ata do të sjellin përsëri teknologji të vjetëruara, për shkak të fuqisë punëtore, apo nëse mënyra e jonë e qasjes në financa do të lejojë që kompanitë që kanë qasje inovative dhe moderne teknologjike për prodhimtarinë dhe shërbimet dhe nëse ata kanë nevojë për tregun e Maqedonisë është udhëzues kryesor i biznesit apo edhe nëse kompanitë maqedonase biznesit do të pushtojnë tregje të reja me të cilin do të determinohet edhe investimi në teknologjitë e reja të avancuara për nevojat e konsumatorëve, të destinuara për ato produkte që do të shiten jashtë vendit “, thotë Boshkov.

PUNËTORËT PO NDJEKIN ME VËMENDJE NDRYSHIMET

Përsa i përket përgatitjeve, Ristevski mendon se punëtorët duhet të jenë vigjilentë dhe të ndjekin trendet e punëdhënësve, sepse, siç thotë ai, ata po mendojnë që në kompani të përfshijnë sa më pak punëtorë për të bërë fitime më të mëdha.

“Neve na mbetet për t’u bashkuar, për të shtrënguar radhët dhe për të mos lejuar që puna e punëtorit të nënvlerësohet”, thotë Ristevski.Analisti ekonomik, Arben Halili shpjegon se padyshim që teknologjia po hyn në aktivitetet e biznesit te çdo kompani, kurse kompanitë moderne do të duhet të përshtaten me ndryshimet në mënyrë që të jenë konkuruese në treg.

“Ne jemi ende larg këtij niveli siç është në vendet e Evropës Perëndimore. Kjo teknologji nuk është diçka që mund të ndalet dhe absolutisht do të ndikojë në çdo fushë të jetës, por nuk pres që në Maqedoni të aplikohet në të njëjtin nivel siç është në Francë, jo më herët se 15 deri në 20 vjet “, thotë Halili.

Ai shton se Maqedonia ka disa, por jo mjaft, kompani të pranishme në tregun evropian ku prodhimi kërkohet të jetë me teknologji të re.

REFORMA E PUNËS PËR EPOKËN E RE

Në Francë janë propozuar rregulla të reja të punës, por e ashtuquajtura reforma e punës, e propozuar nga kreu i shtetit francez, Emanuel Macron, ka shkaktuar një valë protestash. Sipas ekspertëve, reformat janë vetëm një pjesë e të gjithë ndryshimeve komplekse që mund të çojnë në mundësi të reja, por edhe në një krizë më të madhe, përcjell TetovaPress.

Kjo reformë u paraqit si një nga prioritet gjatë fushatës zgjedhore të Macron. Rregullat e reja do të kufizojnë pagesën për shkarkimin nga puna, kështu duke u dhënë kompanive më shumë liri për punësimin she pushimin nga puna të qytetarëve.

Ministri francez i Punës Muriel Penico thotë se “ky është një moment kyç, sepse, jashtë transformimit ligjor, është mënyra e të menduarit rreth marrëdhënieve të punës, tregut të punës, që është e domosdoshme dhe e mundshme për të ndryshuar”.

Por mijëra punëtorë që dolën në rrugë shpresojnë se janë mjaft të fortë për ta detyruar presidentin që t’i rishikojë rregullat e reja.

Jean Luc Melenshon nga e majta ekstreme këto rregullat i përshkruan si “një grusht shteti social”.

“Që dekretet të bëhen ligje duhet të kthehen në parlament. Beteja nuk ka mbaruar, ky është vetëm fillimi. ”

Ai gjithashtu i dërgoi një mesazh Macronit:

“Tani na thuhet se demokracia nuk krijohet në rrugë. Zoti President do të duhet të shikojë historinë franceze për të mësuar se rruga është ajo që rrëzoi mbretin, rruga i ka mundur edhe nazistët “.

Edhe përkundër demonstratave, qeveria franceze i miratoi ato me vërejtjen se janë të nevojshme për një konkurrencë më të madhe, në mënyrë që të reduktohet shkalla e lartë e papunësisë e cila për momentin në Francë është 9,5 për qind.

Por sindikatat kanë frikë se ndryshimet do të dobësojnë mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, si dhe rolin e tyre në procesin politik.

Ndryshimet në legjislacionin e punës janë të parat në serinë e reformave të premtuara nga Macron me qëllim të ringjalljes së ekonomisë dhe zvogëlimit të papunësisë.

Gjithashtu ai ka plane për të ndryshuar edhe benifitet për të papunët dhe sistemin e pensioneve, ndryshime këto që mund të shkaktojnë trazira shumë më të mëdha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat