Priten vendimet e Administratives për paditë, po shqyrtohet edhe partia e Aleancës për Gostivarin

Maqedonia

Priten vendimet e Administratives për paditë, po shqyrtohet edhe partia e Aleancës për Gostivarin

Më: 23 tetor 2017 Në ora: 16:33
Gjykata Administrative

Gjykata Administrative po shqyrton padinë e vetme të Aleancën për Shqiptarët të parashtruar dje, lidhur me një parregullsi zgjedhore në Gostivar.

Sipas asaj që figuron në padi, vëzhguesit dhe komisionerët e Aleancës kanë vërejtur se në një vendvotim një person ka marrë dy fletëvotime për këshillin komunal, në vend se të ketë marrë një për kryetar dhe një për këshilltar. 

Trupi gjykues i përbërë prej kryetares Diturije Elezi Neziri, gjykatësve, Bllagorodna Arangjellova, Ramije Abdurrahimi Cara, Ismeta Amet dhe Edita Naskovska do duhet të shpallë vendimin në afat prej 48 orësh nga shqyrtimi.

Ndërkohë që vijon shqyrtimi i padisë më të re dhe të vetme të Aleancës, priten edhe vendimet për paditë e VMRO DPMNE-së, TMRO-së dhe Të Majtës që u shqyrtuan dje. 

Prej 27 padive të parashtruara, për 19 shqyrtimi publik ka përfunduar. Janë shqyrtuar 16 padi nga VMRO DPMNE, dy nga TMRO dhe një është nga E Majta. Deri në këtë moment vendimet nuk janë publikuar në ueb faqen e gjykatës.Disa prej gjykatësve të cilët merren me paditë janë të dyshuar nga Prokuroria Speciale dhe madje e kanë të hequr edhe imunitetin e gjykatësit. 

Pesë gjykatës dyshohen në rastin “Titanik2” për manipulime zgjedhore, së bashku edhe me pesë persona të tjerë nga KSHZ dhe poste të tjera që lidhen me procesin zgjedhor. 

PSP pati kërkuar që këtyre gjykatësve t’u ndalohet veprimi në raste që lidhen me zgjedhjet, por arsyetimi gjykatës është se shpërndarja e detyrave bëhet me short dhe nuk mund ta dijnë se cilit gjykatës cila lëndë do t’i ndahet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat