Ahmeti: BDI do t’i fitojë shumicën e komunave shqiptare

Maqedonia

Ahmeti: BDI do t’i fitojë shumicën e komunave shqiptare

Më: 12 tetor 2017 Në ora: 11:45
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, shprehet i bindur se partia që ai drejton do t’i fitojë zgjedhjet lokale në Maqedoni që do të mbahen të dielën. Ai është i bindur se BDI do të udhëheq me numrin me të madh të komunave me shumicë shqiptare.

Ahmeti në pjesën e dytë të intervistës dhënë për Kosovapress, beson se edhe pas 15 tetorit BDI do të jetë e para me numrin e komunave shqiptare që do t’i drejtojë, duke thënë se kanë ngritje votash nga zgjedhjet e vitit të kaluar kur u mbajtën në nivel qendror.

Kreu i BDI-së rënien në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar e quan stuhi me viktima, por që i mbijetuan. Megjithatë, Ahmeti nuk e quan humbje të BDI-së, por që shqiptarët humbën tetë mandate e që nuk i fitoi askush prej partive shqiptare.

Ahmeti: Pres kthesë në zgjedhjet lokale nga ato qendrore të vitit të kaluar

“Tani më 15 tetor në Maqedoni organizohen zgjedhjet lokale, pres një kthesë pozitive dhe shihet ajo gjatë takimeve që kam unë me elektoratin, gjate takimeve që kam me votues, simpatizues, simpatizant të Bashkëpunimin Demokratik për Integrim dhe ka një kthesë të mire krahasuar me zgjedhjet e 2016, zgjedhjet parlamentare që ishin, tani kemi një fryme shumë pozitive. Zgjedhjet parlamentare e 2016 ishin një stuhi goxha e rrezikshme që për pasoj humbëm gati tetë mandate, nuk e fitoj asnjë parti politike shqiptare ato tetë mandate, por pas çdo stuhie ka edhe viktima, ka edhe pasoja. Si duket ne e mbijetuam këtë stuhi, qytetaret e kuptuan që Bashkimi Demokratik për Integrim është i interesuar për avancimin e çështjeve në Republikën e Maqedonisë, në të gjitha fushat, si në fushën për zhvillim të brendshëm si në afrimin e komuniteteve dhe në veçanti në afrimin e komunitetit shqiptar”, tha Ahmeti. 

Kreu i BDI-së thotë se aktualisht partia e tij udhëheq me 16 komuna, nga 18 sa janë gjithsej komuna shqiptare në Maqedoni. Derisa, Ahmeti pretendon se pas 15 tetorit, BDI-ja do të ruajë këtë numër të komunave që do të udhëheq.

Madje, ai vlerëson se në së paku pesë komuna do të fitojnë qysh në raundin e parë, derisa në të tjerat presin të fitojnë në raundin e dytë.

Mirëpo, Ahmeti thekson se shqiptarët në Maqedoni nuk kanë nevojë më shumë se për dy parti politike që do t’i mbronin interesat e tyre në institucionet e Maqedonisë. Sipas tij, nga stuhia e vitit të kaluar më së shumti pësuan shqiptarët.

Ahmeti: Viktimë e vitit të kaluar ishin shqiptarët

“Jo rastësisht në mënyrë alegorike thash nga stuhia që pësuam pati viktima, dhe viktimë ishin shqiptarët, tetë mandate, shqiptarët janë viktimë e atyre përçarjeve në shumë parti këtu në Maqedoni, të shqiptarëve. Jo njëherë e kam thënë, e them edhe për agjencionin tuaj, shqiptarët nuk mund të kenë me shumë se dy parti dhe ekzistenca e veprimtarisë së tretë, të katërt, është po aq e dëmshme sa të ketë një parti. Dy parti le të jenë në garë, pozitë opozitë dhe do ishte e natyrshme që ne do të ishim në pozita shumë me të volitshme edhe për përballje me palën me të cilën jemi në vazhdimësi në kërkim, jemi në vazhdimësi në konfrontim, pavarësisht se shumë prej konfrontimeve, debateve nuk i bëjë publike me partnerët, por ato mbeten debate dhe konfrontime të brendshme për avancim të mëtejmë të shqiptarëve në Maqedoni”, tha Ahmeti.

Megjithatë, Ahmeti vitin 2016 e quan një mësim të mirë për shqiptarët duke e parë shqiptarët se nga gjithë ato shpifje, ajo propagandë që bëhej kundër BDI-së deri në ekstrem, deri në devalvim në këto treva, ishte vetëm të fitojnë një copë pushteti. Sepse, ai shprehet i gatshëm që nëse ka prova të hapet dosje hetimore për partinë që ai drejton, nëse ka keqpërdorur besimin e qytetarëve.

Përçarja e shqiptarëve, sipas Ahmetit, po ndodh për shkakun e ambicieve personale të disa njerëzve, por edhe investim të shërbimeve të huaja, sidomos Rusia e cila është prezentë në Maqedoni.

Ahmeti: Në përçarjen e shqiptarëve kanë rol edhe shërbimet e huaja

“Të them të vërtetën ka ambicie nga me të ndryshmet, dikush mendon që është më i mençuri, dikush mendon se zëvendëson kokën e Zeusit, kanë investuar edhe shërbimet e huaja. Hidhni një sy Luginës së Preshevës, hidhni një sy Malësisë së Madhe në Mal të Zi, janë shtatë apo tetë parti ndërsa ka 40 mijë shqiptarë, për mua është e paarsyeshme. Parulla më e mirë është përçaj dhe sundo dhe përpjekjet janë bërë edhe në Maqedoni që më mirë ti sundosh shqiptarët është të punosh me shqiptarë të përçarë. Por, unë po them përsëri jam shumë i bindur, optimist që gjërat kanë lëvizur për së mbari dhe mendoj që do ecim mirë. Pse mos të them që Maqedonia është në udhëkryq, dhe aksidentet a e keni vu re që bëhen gjithmonë në udhëkryqe. Nëse u ka rastisur të përcillni reagimet mbi zhvillimet në Maqedoni, Kremlinin e ke shumë aktiv në dy vitet e fundit, Moska është gjithmonë duke dalë për çdo lëvizje, për çdo incident e aksident e dinë me saktësi edhe fshatrat ku ka ndodhur dhe si ka ndodhur”, thekson Ahmeti.

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, megjithatë ka bërë thirrje për zgjedhje të qeta dhe dalje sa më masive të qytetarëve për të shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat