Ligji për gjuhët kaloi në Komisionin për sistem politik

Maqedonia

Ligji për gjuhët kaloi në Komisionin për sistem politik

Më: 13 shtator 2017 Në ora: 13:25
Komisioni për Sistem Politik dhe Marrëdhënie midis Bashkësive

Projekt-ligji për përdorimin e gjuhëve sot u mbështet nga Komisioni kuvendor për sistem politik dhe marrëdhënie midis bashkësive.

Deputeti, Antonio Milloshoski tha se ligji, i tillë siç është propozuar çon drejt dygjuhësisë së plotë dhe federalizimit të Republikës së Maqedonisë. Vlerëson se ky ligj është jokushtetues dhe do ta rrisë mosbesimin midis maqedonasve dhe shqiptarëve, ndërsa do të çojë edhe drejt diskriminimit tek bashkësitë më të vogla etnike.

Sipas tij, me sjelljen e këtij ligji do të ketë gjoba për gjykatat, prokuroritë, shkollat, universitetet dhe institucionet e tjera të cilat nuk do ta zbatojnë.

Deputeti i pavarur, Ferid Muhiq tha se ky Projekt-ligj është kushtetues dhe bazohet në amendamentin 5 të Kushtetutës. Ai më pas potencoi se paragrafi 2 i amendamentit 5 të Kushtetutës parasheh që gjuhën që e flasin të paktën 20 për qind e qytetarëve gjithashtu të jetë gjuhë zyrtare.

Afrim Gashi nga BESA tha se qëndrimi i partisë së tij është se përdorimi i ligjit duhet të miratohet me konsensus. “Le të kemi konkluzion të përbashkët prej të gjitha partive politike dhe kjo çështje të mbyllet njëherë e përgjithmonë”, tha Gashi, duke shtuar se zgjidhja e këtij problemi është me interes shtetëror.

Sipas tij, me përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare do të përforcohet stabiliteti i shtetit, do të afrohen qytetarët dhe kjo do të jetë mirë për gjithë shoqërinë.

Shpresa Hadri e BDI-së vlerëson se Projekt-ligji është me rëndësi të jashtëzakonshme pasi që bëhet fjalë për një të drejtë universale të cilët njerëzit duhet ta gëzojnë në mënyrë të natyrshme.

Duke folur për gjobat lidhur me moszbatimin e gjuhës, theksoi se ata nuk janë persona të cilët nuk e kanë për detyrë ta përdorin, por gjobat janë për institucionet të cilat duhet të sigurojnë kushte për zbatimin e gjuhës, ndërsa nëse nuk i plotësojnë këto kushte atëherë pasojnë gjoba. “Të mos manipulojmë me qytetarët dhe të mos themi se në çdo kopsht dhe në çdo pjesë të Republikës së Maqedonisë ku nuk ka shqiptarë duhet të përdoret gjuha shqipe”, tha ajo.

Projekt-ligji për përdorimin e gjuhëve është në rend dite të seancës së sotme të 15-të të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë.

Javën e kaluar mbështetje për vendimin ligjor dha edhe Komisioni kuvendor për Çështje Evropiane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat