Maqedonia pranon referencën FYROM për t'u futur në NATO

Maqedonia

Maqedonia pranon referencën FYROM për t'u futur në NATO

Më: 30 gusht 2017 Në ora: 22:30
Nikolla Dimitrov

Maqedonia mbetet e përkushtuar në ndërtimin e raporteve të mira me të gjitha shtetet fqinje, para se gjithash me Greqinë, me të cilën për më shumë se dy dekada ka mosmarrëveshje për çështjen e emrit.

Kështu ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, para vizitës të së enjtes në Shkup të shefit të diplomacisë greke, Nikos Kocijas.

Dimitrov tha se Maqedonia dëshiron zhbllokimin e procesit të integrimit euroatlantik nga ana e Greqisë, bazuar në marrëveshjen e përkohshme mes dy vendeve, me të cilën edhe është pranuar në më shumë institucione tjera ndërkombëtare, deri në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare për emrin kushtetues të Maqedonisë. Me rëndësi, siç tha Dimitrov, është që të “vendosim relacione të hapura dhe të shohim se çfarë është me rëndësi për Greqinë, por edhe të sqarojmë se çfarë është me rëndësi për vendin tonë”.
Shefi i diplomacisë tha se Maqedonia është e gatshme të pranojë anëtarësimin në NATO me emrin IRJM (ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë).

“Republika e Maqedonisë, në përputhje me marrëveshjen e përkohshme është e gatshme që të pranojë ftesën për tu pranuar në NATO me referencën e përkohshme me të cilën është pranuar edhe në OKB, pra me emrin ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë. 

Kjo është edhe në përputhje me marrëveshjen e përkohshme, por edhe me vendimin e gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë në Hagë. Jemi të bindur se kjo do të krijonte një mirëkuptim më të madh në opinionin tonë, pasi bllokada shumëvjeçare nuk e ndihmon konstruktivitetin mes dy vendeve”, ka deklaruar Dimitrov në një konferencë në Shkup kushtuar procesit të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO.

“Ne nuk duam që të nisin lojën e akuzave me Greqinë, pasi anëtarësimi jonë në NATO në fakt nënkupton aleancë mes dy shteteve. Pozicioni ynë ka qenë shumë i rrënuar viteve të fundit, kemi bërë mjaft gjatë këtyre dy muajve e gjysmë që nga formimi i Qeverisë së re, por duhet edhe shumë për të bërë që të kthejmë miqtë tanë të vjetër, të krijojmë miq të rinj dhe të japim fakte se ne nuk jemi problemi, por se qëllimi kryesor për ne mbetet stabiliteti në rajon, që rajoni të jetë shtëpia e të gjithëve, e një Evrope të bashkuar dhe stabile”, ka deklaruar Dimitrov.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat