Taravari: Nuk kam shkop magjik, por garantoj punë me vullnet dhe këmbëngulje

Maqedonia

Taravari: Nuk kam shkop magjik, por garantoj punë me vullnet dhe këmbëngulje

Më: 30 gusht 2017 Në ora: 21:32
Arben Taravari

“Nuk kam shkop magjik, por kam vullnet dhe këmbëngulje për t’i ofruar qytetarëve shëndetësi më të mirë” reagoi Ministri i Shëndetësisë së Republikës së Maqedonisë, Arben Taravari, pas konferencave për shtyp dhe thirjeve nga ana e OBRM-PDUKM për përgjigje dhe dorëheqje nga Ministri për shkak të vdekshmërisë së lartë te foshnjet e posalindura në vend. Disa mediume shfaqën lajme për vdekjen e një foshnje gjashtë mujore në Klinikën për sëmundje të fëmijëve në Shkup dhe ky është rasti i shtatë i vdekjes së foshnjeve brenda 10 ditëve.

Taravari poashtu kritikoi qasjen jo profesionale të mediumeve në vend, të cilët prezantojnë lajme të pa verifikuara me qëllim të fitimit të pikave politike për subjekte të caktuara, duke u koncentruar në periudhën e shkurtë që ai udhëheq këtë Ministri e jo në udhëheqjen e pasuksesshme gjatë 25 viteve të pavarësisë së vendit.

“Ndjej detyrim, por edhe përgjegjësi për t’ju drejtuar për betejën më të rëndësishme në shëndetësinë tonë. Betejë që për fat të keq shumë mediume e përdorin për të fituar pikë për parti të caktuara politike dhe më e keqja nga të gjitha, një betejë e cila për fat të keq nuk ka qenë e udhëhequr në mënyrë të suksesshme në 25 vitet e fundit – betejën për fëmijët tanë të sapolindur”, tha Taravari.

Pavarësisht kritikave joreale dhe mundimeve për të penguar ndryshimet në shëndetësi, ai thotë se nuk do të ndalet në punën e tij për të zbatuar reforma të vërteta në sistemin shëndetësor të vendit, duke pasur ndërmend fëmijët, si e ardhmja e vendit.

“Për aq kohë sa unë ulem në këtë karrige, premtoj se prioriteti im do të jenë fëmijët sepse ata janë e ardhmja jonë, drita jonë dhe krenaria jonë. Sepse ata e meritojnë këtë prej nesh.”, përfundoi Taravari.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat