Sfida e parë për Zaevin, zbulimi i skenarëve të errëta për shqiptarët

Maqedonia

Sfida e parë për Zaevin, zbulimi i skenarëve të errëta për shqiptarët

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 13 gusht 2017 Në ora: 16:31
Kryeministri Zoran Zaev

“Do jetë sprovë pikërisht edhe për "qeverinë e Zaevit", sa do të jetë i gatshëm që t'i heqë pengesat e kontekstit jashtëgjyqësor, pra, pastrimi i faktorëve politikë dhe policorë që këtë skenar të errët e kanë finalizuar përmes një gjykimi në shumë anë problematik, në shumë anë jogjyqësor, dhe këtë pastrim tash Zaev e ka mundësinë ta bëjë, se në sektorët e policisë i ka kuadrot e vet”, ka thënë Muhamedi.

Nëpër burgjet e Maqedonisë ka shqiptarë që janë të dënuar me burgim të përjetshëm për raste të ndryshme si për vrasje e krime të tjera. Por shumë herë është deklaruar se nga këta të burgosur ka edhe të “pafajshëm”të cilët janë dënuar pasi që kanë pësuar skenarët e errëta.

Rasti i fundit është deklarata e Zoran Bozhinovskit, i cili tha se shqiptarët e dënuar me burgim të përjetshëm  për rastin Monstra janë të pafajshëm.

 “Më 12.09 do të organizohet mbledhje publike në Gjykatën Supreme për rastin Monstra, një tentim i ri për të shpëtuar Trajko Veljanovskin nga pesë dënime të përjetshme për përzierje në këtë rast monstruoz. Do të provoj të zbardh disa momente. Për fillim pak gjeografi. Dëshmitari i fshehtë i rrejshëm I MVR- DPMNE, në bazë të gënjeshtrave të tij të rrejshme që u dënuan me burgim të përjetshëm persona që nuk kanë lidhje me këtë vrasje të pesëfishtë, në dëshmitë e tij vazhdimisht kishte theksuar se vrasja ka ndodhur në liqenin e Zhelezarës, ndërsa prokuroria vazhdimisht e kishte përmirësuar duke ia bërë me dije emërtimin gjeografik Liqeni Smilkovës”, ka shkruar Bozhinovski.

Image
Nijazi Muhamedi

Skenar i errët

Lidhur me deklaratën e  gazetarit Bozhinovski, publicisti,  Nijazi Muhamedi ka thënë se nuk është hera e parë që është bërë një deklaratë e tillë dhe ka thënë se rasti “Monstra” do trazojë ujërat brenda maqedonase.

“Ajo deklarate, e cila nuk thuhet për herë të parë në opinionin maqedonas, afërmendsh që duhet te merret në konsideratë me vëmendje edhe nga opinioni shqiptar, edhe pse burimi i saj është gazetari Bozhinovski, deklaratat e të cilit shpesh kanë qenë lansuar në opinion në mënyrë kontradiktore, bile edhe duke abuzuar me atë nga të tjerët. Megjithatë, ajo tash në këtë rast, pra, në rastin "Monstrum" do trazojë ujërat brenda maqedonase, duke hamendësuar se mund të nxjerrë në dritë fakte të panjohura që do ta ndriçonin kontekstin e "Monstrumit", aktorët që e kanë sajuar atë, dhe kuptohet, do ta ndriçonin atë më kryesoren për opinion shqiptar-se të burgosurit shqiptarë mund të dalin viktima më të pafajshme të këtij procesi”, ka thënë Muhamedi.

Gjithashtu, ai ka paralajmëruar se këtu mund të dalin shumë gjera në dritë, në të cilat mund të jenë implikuar kundër të burgosurve shqiptar jo vetëm akteret e dyshuar, që Bozhinovski pretendon se janë implikuar.

”Edhe organet e gjyqësisë që atij skenari të errët i kanë dhënë "zgjidhje finale gjyqësore', duke i gjykuar ato bile në mënyrën drastike, pra, me burgim të përjetshëm. Së këndejmi, sprova e gjykatës së re, gjoja "të reformuar" të saj duhet të jetë pikërisht kthimi në rigjykim të kësaj çështjeje më parë, e cila mandej, sipas meje, palët e dëmtuara shqiptare duhet ta çojnë këtë lëndë në Gjykatën e Strasburgut, për ta rivendosur drejtësinë e vërtet dhe për ta rikompensuar dëmin që  u është shkaktuar nga gjykatat e çoroditura këtu në Maqedoni. Kjo, po ashtu, do jetë sprovë pikërisht edhe për "qeverinë e Zaevit", sa do të jetë i gatshëm që t'i heqë pengesat e kontekstit jashtëgjyqësor, pra, pastrimi i faktorëve politikë dhe policorë që këtë skenar të errët e kanë finalizuar përmes një gjykimi në shumë anë problematik, në shumë anë jogjyqësor, dhe këtë pastrim tash Zaev e ka mundësinë ta bëjë,se në sektorët e policisë i ka kuadrot e vet”, ka thënë ai.

Shumë raste tjera, përveç rastit “Monstra”

Përveç, rastit “Monstra”, Muhamedi ka thënë se në burgjet e Maqedonisë ka shumë shqiptarë që kanë pësuar skenarë të tilla dhe se lënda e tyre ka mbetur duke u sorollatur nga një instancë gjyqësore në tjetrën që të mos marrë zgjidhje.

Ai mendon se palët e dëmtuara do të kishin të drejtë t'i drejtoheshin Gjykatës së Strazburgut.

“Nuk është vetëm skenari "Monstrum" nga i cili pritet të dalin mostrat e vërteta të skenarëve të errëta ku kanë pësuar shqiptarët. Ka në burgjet e Maqedonisë edhe shumë shqiptarë të tjerë të dënuar në mënyrë të pafajshme,pa prova konkrete gjyqësore dhe të  dënuar po ashtu në mënyrë drastike-me dënim të përjetshëm, edhe lënda e tyre ka mbetur të sorollatet nga një instancë gjyqësore në tjetrën që të mos marrë zgjidhje,pas së cilës mandej palët e dëmtuara do të kishin të drejtë t'i drejtoheshin Gjykatës së Strazburgut”, ka shtuar Muhamedi për “Bota sot”.

Po ashtu, ai ka shtruar një rast konkret të një të dënuarit me burgim të përjetshëm. Sipas, Muhamedit rasti i Burhan Porojit i cili i ka të gjitha provat që është i pafajshëm, nga instanca e Gjykatës supreme ka 10 vite që rrinë nëpër arkivave të kësaj të fundit.

“Unë njoh një rast eklatant të një dënuari më burgim të përjetshëm, që është nga një fshat i ngjitur me fshatin tim, nga Poroji dhe i dënuari quhet Burhan Poroji, dhe  ankesa e tij për t'u rishikuar çështja e dënimit  të tij të përjetshëm, se i ka të gjitha provat që është i pafajshëm, nga instanca e Gjykatës supreme, që dhjetë vjet rri e patrazuar në arkivën e kësaj gjykate, një rast, pra,që do të ishte i paprecedentë edhe në Afrikën e dikurshme të Jugut, kurse për Maqedoninë është një çmenduri e llojit të vet që të tmerron,e jo të quhet "gjyqësi demokratike". Ja , bie fjala, kjo çështje mund të nisë të marrë zgjidhje për një ditë, nëse e trazon avokati i tij ,nëse e trazon Obdusmani apo komiteti i Helsinkut,etj”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Në fund, Muahmedi ka thënë se ky duhej të ishte preokupimi kryesor dhe sprovë e ndershmërisë edhe e atyre "përfaqësuesve shqiptarë" në koalicion me Zaevin, jo dalldisja e tyre pas zgjedhjeve lokale e të tjera interesa të tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat