Zabzuni si Ziadin Sela, mund të bojkotojë Mbrëmjet Strugane të Poezisë

Maqedonia

Zabzuni si Ziadin Sela, mund të bojkotojë Mbrëmjet Strugane të Poezisë

Më: 11 gusht 2017 Në ora: 00:23
ilustrim

Tradita” e bojkotit do të vijojë edhe në edicionin e sivjetshëm të Mbrëmjeve poetike të Strugës. Ashtu si edhe ish kreu i kësaj komune Sela, edhe kryetari Mustafa Zabzuni thotë se nuk kanë ç’të kërkojnë nëse festivali do të jetë njëlloj si vitet e tjera, ku refuzohej kërkesa për përdorimin e gjuhës shqipe

Kanë mbetur më pak se dy javë që në Strugë të nisë manifestimi më i rëndësishëm i këtij qyteti – Festivali ndërkombëtar i poezisë dhe në komunë nuk e dinë nëse do të jenë pjesë apo do ta bojkotojnë ngjarjen ashtu si vitet e tjera, shkruan gazeta KOHA. Reduktimi në maksimum i programit nga elementet tradicionalë të zonës, anashkalimi i gjuhës shqipe…, është kthyer në një format identifikues për zhvillimin e kësaj ngjarje kulturore, por edhe si arsye kryesore që komuna të mos delegojë përfaqësuesin e saj. Edicioni i 56-të i Mbrëmjeve Poetike të Strugës këtë vit ka ndryshuar shumë në strukturë dhe konceptim, duke përfshirë edhe zhvendosjen e tij nga Struga në qytetet fqinje, Manastir, Ohër e Resnje për lexime poetike.

“Nëse nuk do të ketë asnjë ndryshim nga forma e organizimit, nëse gjuha shqipe do të anashkalohet, me justifikimin se zëvendësohet me anglishten, pra nëse është njëlloj si vitet e tjera është e kuptueshme se ne si komunë do ta bojkotojmë, nuk kemi se çfarë të kërkojmë në një manifestim të tillë”, thotë kryetari i Komunës, Mustafa Zabzuni. Bashkëpunimi mes autoriteteve të festivalit dhe ato të komunës mungon, pasi pak kohë më parë për KOHA kryetari i Këshillit Drejtues, Sllave Dimovski, pohoi se janë në raporte të mira dhe komunën dhe se besonin se nuk do të bojkotoheshin këtë vit. Bojkotimi vitet e kaluar ka ardhur pas refuzimit të kërkesës për përdorimin e gjuhës shqipe në skenën e festivalit dhe prezantimin e tij, por edhe në pankartat që vendosen në qytet, që zakonisht janë vetëm në anglisht dhe maqedonisht.

Por, nëse komuna është në pritje të zhvillimeve të këtyre ditëve, në Ministrinë e Kulturës pohojnë se ndryshimet thelbësore do të ndodhin vitin e ardhshëm, përdorimi i gjuhës shqipe, përfaqësimi i kulturës dhe karakteristikave shqiptare të qytetit.

“Ky festival duhet të ndryshojë tërësisht dhe ndryshimet në konceptimin e tij duhet të jenë radikale. Karakteri i përfaqësimit, multilingualiteti duhet të jenë pjesë e tij, mbi të gjitha kultura dhe tradita e vetë qytetit ku zhvillohet. Në këtë edicion është vështirë që një gjë e tillë të realizohet, pasi MPS kanë të njëjtët njerëz që janë në krye, gjë që do të ndryshojë vitin e ardhshëm”, thotë për KOHA Valmir Aziri, sekretar shtetëror në Ministrinë e Kulturës.

Edicioni i 56-të do të zhvillohet nga datat 23-28 gusht dhe tradicionalisht mbyllet në Shkup. Për të ardhur në Strugë po bëhen gati rreth 30 poetë nga bota, mes tyre edhe ato të programit “Versopolis”, platforma letrare që mbështet nga programi “Evropa kreative” i BE. Krijuesit vendas që marrin pjesë janë kryesisht maqedonas, ndërsa numri i poetëve shqiptarë shumë i vogël, pasi pjesa më e madhe prej vitesh e bojkoton këtë manifestim. Fituesi i “Kurorës së artë” këtë vit është autori amerikano-serb Çarls Simiq, ndërsa poeti kroat Goran Çullahoxhiq është fitues i “Urave të Strugës”. Ende nuk është shpallur fituesi i çmimi “Vëllezërit Milladinovci”, që këtë vit shënon 55 vjetorin. Drejtoria e festivalit në një njoftim ditën e martë bëri me dije se në garë për çmimin më të shtrenjtë në Maqedoni janë pesë autorë, ndërsa fituesi do të shpallet gjatë ditëve të festivalit, më 25 gusht. Si atraksione të këtij edicioni janë poetët bashkëkohorë që do të marrin pjesë, si Maria Klara Sharupi Jua që krijon në gjuhën shua, poeti kinez Duo Duo, Gigo Fet, kanadezja En Majkëlls, Riçard Krinicki nga Polonia, e të tjerë. Sa i takon aktivitetit botues, përveç botimit luksoz për fituesin e “Kurorës së artë”, është përgatitur edhe Antologjia e poezisë bashkëkohore kubaneze, si edhe do të botohen edhe shtatë vëllime në edicionin “Plejada”. Një tjetër risi është transmetimi i drejtpërdrejtë në ekranet televizive të këtij manifestimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat