Karakachanov: Bullgaria e gatshme t’i ndihmojë Maqedonisë të bëhet anëtare e NATO-s

Maqedonia

Karakachanov: Bullgaria e gatshme t’i ndihmojë Maqedonisë të bëhet anëtare e NATO-s

Më: 2 gusht 2017 Në ora: 10:41
Pamje nga takimi

Përforcimi i marrëdhënieve të mira fqinje midis Maqedonisë dhe Bullgarisë është në dobi jo vetëm të dy vendeve por edhe për rajonin dhe mbarë Evropën, u pajtuan ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska dhe homologu i saj bullgar, Krasimir Karakachanov në takimin bilateral të punës në Shkup, e cila u mbajt dje pas nënshkrimit të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë midis dy vendeve.

Siç kumtoi Ministria e Mbrojtjes, ministrja Sheqerinska u falënderua për reagimin e shpejtë të qeverisë bullgare, e cila ofron ndihmë me helikopterë për shuarjen e zjarreve të cilat e kapluan Maqedoninë. Marrëveshja për ndihmë u arrit në takimin e dy kryeministrave Zaev dhe Borisov ndërsa angazhimi personal i ministrit Karakachanov mundësoi që ndihma të realizohet menjëherë.

“Kjo tregon se marrëdhëniet e mira midis fqinjëve gjithmonë është në dobi për zgjidhjen e shpejtë të cilitdo problem”, tha ministrja Shekerinska.

Karakachanov, nga ana tjetër, tha se politikë e Bullgarisë gjithmonë ka qenë ta mbështesë pavarësinë shtetërore të Maqedonisë dhe shtoi se Bullgaria e vë në dispozicion të gjithë përvojën e saj dhe kontaktet për pranim sa më të shpejtë të Maqedonisë në BE dhe NATO, njofton AIM.

“Bullgaria dëshiron t’i ndihmojë Maqedonisë. Kontaktet të cilat i krijuam në rrugën tonë drejt BE-së dhe NATO-s mund të jenë të dobishme për ju. Kur Bullgaria, Greqia dhe Maqedonia dhe të gjitha shtetet e rajonit do të jenë pjesë e BE-së problemet do të zgjidhen më lehtë. Për pranimin e Maqedonisë në NATO e ofrojmë ekspertizën tonë dhe këshillat”, tha Karakachanov.

Ministrat, siç thuhet, dakorduan bashkëpunim të përforcuar në mbrojtje, në pikëpamje të trajnimeve të pjesëtarëve të ARM-së në Bullgari, në arsimin ushtarak dhe avancimin ushtarako – mjekësor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat