Pribe takohet me kryetarët e gjykatave, shprehet gatishmëri për reformat

Maqedonia

Pribe takohet me kryetarët e gjykatave, shprehet gatishmëri për reformat

Më: 22 korrik 2017 Në ora: 22:29
Rajnhard Pribe

Eksperti gjerman Rajnhard Pribe dhe ekipi i tij pesë anëtarësh po e përfundojnë analizën e parë të sistemit gjyqësor të Maqedonisë.

Jozyrtarisht, të gjitha takimet e Pribes me përfaqësuesit e institucioneve shtetërore kanë përfunduar, por ekipi i ekspertëve tanimë ka pasqyrë të hollësishme. Rekomadimet që do t’i jep Pribe dhe ekipi i tij pritet të jenë më të detajuara në krahasim me ato që i dha para dy viteve, kur për herë të parë analizoi gjendjen e gjyqësorit të vend, me qëllim daljen e vendit nga kriza politike, transmeton TV 21.

Kryetarët e gjykatave që u takuan me Priben, shprehën gatishmëri për t’u kyçur në reforma. Mirosllav Draganov nga Instituti për të Drejtat e Njeriut, konsideron se reformat fillimisht duhet të implementohen nga njerëzit që gjenden në funksione të larta në sistemin gjyqësor.
“Kur flasim për gjyqësorin, një pjesë e madhe e këtyre reformave duhet të dalin nga zbatimi praktik i asaj që është ligj, që është Kushtetutë dhe që zbatohet si standard ndërkombëtar i pranuar në Maqedoni. Kështu që, nuk është gjithçka në ndryshimin e ligjeve, por edhe në implementimin e tyre në praktikë”, tha Mirosllav Draganov, drejtor ekzekutiv i IDNJ.

Për zbatimin e reformave, qeveria formoi një trup të ri – Këshillin për reforma pranë Ministrisë së Drejtësisë në krye me ministrin dhe zëvendës ministrin Bilent Saliji dhe Oliver Ristovski. Në këtë trup do të punojnë gjykatës të njohur dhe profesorë universitarë si anëtarë të jashtëm. Ristovski për TV21 tha se detyra e parë e këtij trupi do të jetë përgatitja e një projekt – plani aksional.
“Grupi punues do të punojë në strategjinë e sistemit gjyqësor dhe në lidhje me strategjinë 3-6-9 të ofrojë projekt-plan aksional dhe eventualisht të merr pjesë në përgatitjen e projekt-ligjeve të caktuara në pajtim me Programin e qeverisë. Afati për përpilimin e kësaj strategji është 2 muaj”, tha Oliver Ristovski, zv/ministër i Drejtsisë.

Komisioni Evropian javën e kaluar njoftoi se ekipi i ekspertëve të udhëhequr nga Pribe, deri më 21 korrik do të bëjnë kontroll rreth asaj se sa janë zbatuar rekomandimet e vitit 2015 dhe do ta këshillojnë qeverinë e re për çështjet në fushën e sundimit të së drejtës. Në raportin e kaluar, eksperti gjerman raportoi se në Maqedoni ekziston një atmosferë mosbesuese dhe trysnie në gjyqësor, gjë që është konfirmuar edhe në bisedat e përgjuara telefonike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat