Maqedonia diskuton për reformat integruese në BE dhe NATO

Maqedonia

Maqedonia diskuton për reformat integruese në BE dhe NATO

Më: 14 korrik 2017 Në ora: 19:19
Komisioni për Çështje Evropiane i Kuvendit të Maqedonisë

Komisioni për Çështje Evropiane i Kuvendit të Maqedonisë në mbledhjen e sotme, diskutoi për Planin "3-6-9", që ka të bëjë me reforma të shumta në Maqedoni, të cilat janë të domosdoshme për anëtarësim në BE.

Kryeministri, Zoran Zaev tha se vendi ka shansin e vërtetë për t’u integruar në strukturat euro-atlantike, andaj nuk duhet lëshuar këtë rast. Ai theksoi se procesi i integrimit të vendit në BE do të shpejtohet nëse të gjitha palët kyçen në zbatimin e Planit 3-6-9, pasi sipas tij për 9 muaj kjo qeveri do ta bind BE-në të fillojë negociatat për anëtarësim.

“Reforma në gjyqësor, reforma në media, lufta kundër luftës së organizuar dhe korrupsionit, reformat në administratën publike, reforma në shërbimet e sigurisë, kushte për zgjedhje korrekte dhe demokratike sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR dhe gjitha organizatave tjera ndërkombëtare relevante, kohabitacioni dhe bashkëpunimi i sinqertë me Presidentin e shtetit, përkundër këtyre titujve si prioritete, gjithsesi se nuk do t’i harrojmë edhe obligimet tjera të marra dhe paralelisht do të punojmë në implementimin e tyre, në interes të gjithë qytetarëve në Republikën e Maqedonisë. Të gjitha reformat dëshirojmë t’i bëjmë në bazë parimore, përmes shqyrtimit themelor të gjendjeve dhe zgjidhje sistematike të problemeve, kurse jo përmes zgjidhjeve të shpejtuara dhe të pjesshme”, deklaroi kryeministri Zoran Zaev.

Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi i apeloi opozitës të ketë qasje konstruktive në procesin e realizimit të reformave, për çka sipas tij ekziston konsensus i të gjitha partive politike, përkrahje nga qytetarët dhe sinjal pozitiv nga vetë BE-ja.

“Njëkohësisht prej opozitës pres edhe sjellje të përgjegjshme në procesin e përgjithshëm legjislativ, gjegjësisht funksionimin efikas të Parlamentit. Sipas mendimit tim, disa veprime të opozitës të cilat ditëve të fundit i sheh opinion i përgjithshëm maqedonas por edhe miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, nuk i ndihmojnë as demokracisë parlamentare, as reformave të duhura dhe proceseve integruese në BE dhe NATO”, deklaroi kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi.

Plani 3-6-9 është miratuar 10 ditë më parë, bazuar në programin e Qeverisë, Marrëveshjen e Përzhinos, Raportin e Pribes, atë të Komisionit të Venedikut, të Komisionit të Grekos si dhe rekomandimet e OSBE-ODIHR.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat