‘Balena Blu’ vjen në Maqedoni, ekspertët ju sugjerojnë si të mbroheni

Maqedonia

‘Balena Blu’ vjen në Maqedoni, ekspertët ju sugjerojnë si të mbroheni

Më: 16 qershor 2017 Në ora: 22:47
Foto ilustrim

Loja famëkeqe që tani më është shndërruar edhe si shqetësim për autoritet ka marrë shumë vëmendjen e të rinjëve. Duke e ndjerë rrezikun që ju kanoset të rinjëve vendosëm që të konsultojmë profesionistët dhe potencialisht të prekurit nga kjo lojë e kobshme. Kemi kontaktuar një mjek, dy psikologë, një të ri i cili vepron nëpërmjet rrjeteve sociale, dy prind dhe një ekspert të rrjeteve sociale.

Liridon Disha, mjek i përgjithshëm, këtë e përshkruan si mani e sociopatëve e cila duhet të kontrollohet nga organet e rendit.

”Unë mendoj që “Balena Blu” është një ‘lojë’ shumë e rrezikshme, e shpikur nga njerëz të cilët në psikologji përshkruhen si sociopatë. Njerëz introverte (të mbyllur në vetevete) të cilët për shkak të pasojave të renda psikike nga e kaluara e tyre, shprehin mënyra të tilla të dhunshme ndaj të tjerëve në shoqëri. është mungesë dashurie dhe izolim i personalitetit. Në psikiatri këto fenomene apo çrregullime psikike përmblidhen në një grupim të posaçëm dhe përshkruhen si ”Çrregullim i Personalitetit”. Mund të jenë me impakt nga jashtë (shoqëria) dhe mund të jenë edhe të lindura.”

”Kur ato vijnë si pasojë e ndikimit të jashtëm, paraqiten me forma të ndryshme të çrregullimeve emocionale, mungesë shoqërimi, mungesë e hapsirës për tu shprehë për problemet e përditshme, mungesë e përkrahjes individuale, mungesë e ndjenjës së dashurisë, mungesë e përkujdesit nga të tjerët etj. Këto mënyra të ndryshme të ndikimit nga jashtë gjithsesi se lënë vragë të thella në zhvillimin e drejtë dhe të rregullt të personalitetit të njeriut. ”

”Më vone në jetë, këto pasoja shprehen me disidenca ndaj shoqërise dhe rendit shoqëror, me hakmarrje ndaj shoqërisë dhe ato arrijnë kulminacionin e tyre përmes shprehjes së akteve të dhunes ose nxitjes së personave të tjerë me labilitet emocional. Personat me çrregullime të tilla, shpeshherë dijnë të jenë edhe njerëz me pozita të larta në shoqëri, me inteligjencë mbi mesataren, që kanë mënyra shumë të sofistikuara të maskimit të personalitetit të tyre. ”

”Njerëz të tillë duhet të identifikohen e të paraqiten tek forcat e rendit sepse në të shumtën e rasteve këta njerëz ndjejnë kënaqësi gjatë ushtrimit dhe nxitjes së akteve të tilla të dhunës. Nesë u jepet hapësirë e mjaftueshme kohore, mund të krijojnë mënyra të ndryshme e shumë të sofistikuara të vendosjes në ‘lojë’ të njerzve, në llogari të jetës së tyre.” thotë Liridon Disha, mjek i përgjithshëm.

Migjen Amzai, psikolog, këtë fenomen e ka përkufizuar si ”Balenat e vrasin veten kur ambienti i tyre është i pasigurtë!”
”Balenen Blu, për mendimin tim e gjejnë ata që duan ta gjejnë, kryesisht tipa të vetmuar, karakter mazokist që përtej faktit që lexojnë dhe e dine se si funksionon, shkojnë dhe e luajne, pra në nje farë mënyre, nuk është se është çeshtje viktimë sa është çështje karme. Nuk dua të tingëllojë ashpër, por me ç’kam lexuar dhe kam parë ca video të këtyre të rinjëve, janë tipike strukturë mazokiste e karakterit që bile menzi kane pritur që të reklamohet diçka e tillë.”

”Prindërit janë ata që duhet t’i kenë nën vëzhgim, sepse janë po ata që investojnë në vetmimin e fëmijëve të tyre duke ju blerë pajisje përmes të cilave këta të rinj kanë qasje në të tilla lojëra. Por siç e thash në fillim, me shqetësuese janë ato lojra që ndërtojne karakter se sa këto që gjejnë karakterin përshtatës; pasi është e dukshme një gjë: ca tipa sadistë matane një realiteti virtual, detyrojnë, në pak ditë disa të rinjë t’i nënshtrohen disa ritualeve.

”Prindërit duhet t’i kontrollojnë çfare luajnë dhe cfarë blejne këta fëmijë. Shumica e lojërave, kanë një etiketë ku është e përcaktuar qartë kategoria dhe mosha që mund ta blejë dhe ta luajë. Pra, dukshëm, dikush më i madh në moshe po i blen këto dhe jo fëmijet. Pastaj shumica e pajisjeve kanë edhe mundësi për t’i kontrolluar historikun e asaj që ështe parë, qoftë Youtube ose Google, apo të ngjashme. Prindërit ose kujdestarët duhet të jenë më syhapur. ”

”Mendoj që është tepruar me reklamimin e këtij fenomeni: sa më shumë të reklamohet ose të përflitet aq më e lartë do jetë tendenca që disa persona me probleme të caktuara ta kërkojnë dhe të gjejnë veten, në njëfare mënyre. Unë jam kunder lojërave elektronike, sidomos ato me hero, që siç e thashë më lartë, ndërtojnë karaktere. Mungesa e prindit, mungesa e qenies si prind, jo si masë fizike shkakton vetmim dhe fëmijet dhe rinia do gjeje dikë ose diçka që do i kuptojë ata. Balenat e vrasin veten kur ambienti i tyre është i pasigurtë!” thotë për Telegrafi Maqedoni, Migjen Amzai, psikolog

”Faktor kyç në edukimin e gjeneratave të reja është edhe angazhimi i fëmijëve me mësim alternativ apo joformal nëpër kurse të ndryshme që për pasojë ka shmangjen për një kohë të caktuar nga lojëra elektronike, ndërkaq në të njëjtën kohë tek ata stimulohen atribute pozitive si: zhdërvjelltësia, shoqërizimi, inovacioni, kreativiteti dhe krijimi i shprehive të mira.”thotë psikologu Muhamed Jonuzi.

Faton Islami, artist i ri që ka shumë sukses në rrjetet sociale, këtë fenomen e quan si ”turbullim të mendjes”.
”Mendoj se moskujdesja e prindërve ndaj fëmijëve ka bërë të mundur që të ekzistojë dhe zhvillohet kjo lojë. Besoj se ndalimi i përhapjes së ‘Balenës Blu’ në Maqedoni do të ishte sensibilizimi sa më i madh i të rinjve nëpër mediat sociale si dhe ngritja e vetëdijes nga organizata dhe shoqata të ndryshme.”

”Gjithashtu është e nevojshme që tema të qëndrojë si ‘hot topic’ (temë e nxehtë) për një kohë më të gjatë deri në zhdukjen totale të saj. Unë personalisht nuk do të kisha luajtur përshkak se jam 19 vjeçar dhe i vetëdijshëm se ku shpie kjo lojë. Gjithashtu në lojë përfshihet shikimi i videove ‘psikodelike’, video që janë shumë të fuqishme në turbullimin e mendimit të qartë dhe njerëzor. Kjo lojë është e rrezikshme, sidomos te fëmijët 10-16 vjet.” thotë Faton Islami.

Dy prindërit, që njëherit janë edhe aktorë, Luran Ahmeti dhe Hasim Memishi e përshkruajnë këtë si ves që duhet të kontrolluar nga prindërit dhe nuk duhet të përhapet nga shoqëria.

”Mendoj se duke i’u dhënë kaq hapësire nëpër media e debate, bëhet “mollë e ndaluar” për një shumicë dërmuese të fëmijeve që nuk e kanë ditur. Ka fëmijë që për të ardhë në qendër të vëmendjes mund të bëjnë gjëra të habitshme, e edhe ta kerkojne e të kyçen vetë në ketë lojë. Me çdo prononcim dhe hapësire që i japim kësaj, ne në një mënyre e inkurajojmë gjeneratën e re që janë në një moshe ku rrebelizmi mbizotëron, që të bejnë atë që është e ndaluar. Mendoj që duhet institucionet ta luftojnë heshtazi, dhe mos t’i japim më hapesire, qoftë edhe në statuse në Facebook!” Luran Ahmeti, artist dhe prindër.

”Balena Blu si dhe shumë lojëra tjera destruktive janë të përhapura gjithandej, prindërit janë ata të cilët luajn? rol kyç për parandalimin e fenomeneve të tilla destruktive, konkretisht për Balenën Blu, ajo mund të parandalohet nga prindërit duke kontrolluar për çdo ditë kompjutorin, tabletin apo celularin me të cilin luan fëmija, pastaj duke monitoruar sjelljen e fëmijëve për çdo moment, çdo ndryshim që mund të paraqitet te fëmijët ne duhet të jemi vigjilent dhe menjëherë të marrim masa parandaluese, pastaj konsultimi më i shpeshtë me mësuesit apo edukatorët. Këto mendoj se janë masat parandaluese për mos përhapjen e këtyre fenomeneve destruktive.” thotë Hasim Memishi, artist dhe prindër.

Eksperti i rrjeteve sociale, Gëzim Qaili ka thënë se nuk duhet të ju jepet shumë rëndësi këtyre trendeve.
”Sa i përket Balenës Blu, mendimi im është që nuk duhet t’i jepet rëndësi, duhet të injorohet. Në kohën kur rrjetet sociale dhe portalet jane shumë të vizituara, është dhënë mundësia që në mënyrë të shpejtë të shpërndahen fenomene të ndryshme, që padyshim në shumë raste janë negative. Thirrja ime është që sa më shume të injorohen këto fenome, të mos bien në kurth të çdo kujt, që interneti fatkeqësisht i’u ka mundësuar të shperndajnë informacione, lojëra të ndryshme.” Gëzim Qaili.

Balena Blu, është krijuar si lojë në vitin 2013 por tani është riaktualizua nga disa të rinj në Rusi ku mendohet se deri tani ka 130 raste të vetëvrasjeve të ndikuara nga loja. Nëpër Evropë ka raste por izolohen nga organet e rendit. Në Shqipëri dhe në Kosovë ka mbërritur si lojë, ku janë përhapur dhjetëra raste. Në Maqedoni vetëm lexohet për këtë fenomen. Për këtë, Telegrafi Maqedoni, në formë preventive kontaktoi ekspertët për të krijuar një opinion mbrojtës ndaj kësaj loje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat