Ahmeti: Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO, i domosdoshëm

Maqedonia

Ahmeti: Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO, i domosdoshëm

Më: 14 qershor 2017 Në ora: 15:59
Ali Ahmeti

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka thënë sot se anëtarësimi i menjëhershëm i Maqedonisë në NATO është më se i nevojshëm dhe se çdo vonesë në këtë rrugëtim mundëson hapësirë për shtrirje të ideologjive të huaja, përplasje gjeopolitike dhe gjeostrategjike.

Ai këto komente i bëri gjatë një takimi në Ambasadën e SHBA-ve në Shkup me drejtorin e Zyrës për çështje të Evropës Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit amerikan Metju Palmer dhe ambasadorin amerikan në Maqedoni, Xhes Bejli.

Në këtë takim u diskutua për situatën aktuale në vend dhe rajon, sfidat e qeverisë së re reformuese si dhe për prospektet integruese te vendit në NATO dhe BE. 

Ahmeti njoftoi Palmer për prioritetet e BDI-së në qeverinë e re e që përfshijnë zbatim të reformave në sundimin e së drejtës, zbatimin e përpiktë të Marrëveshjes së Ohrit, integrimin e menjëhershëm në NATO dhe hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE bashkë me zhvillimin ekonomik, rritjen e standardit jetësor dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Kreu i BDI-së tha se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO është  i nevojshëm dhe BDI do të bëjë çmos që të arrihet ky synim.

Ahmeti nënvizoi përkushtimin e tij të palëkundur që këto synime të realizohen dhe ftoi SHBA-të dhe komunitetin ndërkombëtar që të ndihmojnë në tejkalimin e pengesave në drejtim të jetësimit të këtyre përcaktimeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat