Kembrixhi, çfarë do të ndodh me shkollat fillore?!

Maqedonia

Kembrixhi, çfarë do të ndodh me shkollat fillore?!

Më: 12 qershor 2017 Në ora: 08:47
Librat e Kembrixhit

Pas paralajmërimit të Ministres së Arsimit, Renata Deskoska se MASH është duke bërë përpjekje që të mos zbatohet Programi i Kembrixhit në shkolla të mesme, lindi shpresa te mësimdhënësit si dhe tek prindërit që ky program të largohet edhe nga shkolla fillore.

Deskoska nuk sqaroi se çfarë do të ndodh me këtë program në arsimin e ulët, ajo tha se aty do të bëhen ndryshime të ngadalshme dhe të sigurta. Kjo deklaratë ringjalli shpresën edhe për unifikimin e teksteve shkollore.

Mësimdhënësit tani më një kohë të gjatë kërkojnë që të bëhet unifikimi sidomos i Abetares me atë të Shqipërisë, pasi që këto dy shtete kohë më parë nënshkruajtën marrëveshje për bashkëpunim, që deri më tani ende nuk ka dhënë frute.

“Shpresoj që tani pas rënies së diktaturës do mënjanohen të gjitha projektet dhe programet që mëtuan për vite me radhë arsimin, sidomos atë shqip në Maqedoni. Librat e kembrixhit janë tejet të rëndë dhe të pa përshtatshëm për programin dhe kushtet tona. Presim që së shpejti të bëhet gjithashtu unifikimi i abetares dhe më pas në bazë të nevojës edhe i teksteve tjera me Shqipërinë”, tha Adnan Osmani, mësimdhënës.

Librat e Kembrixhit të cilat i promovoi atë kohë ministri i arsimit Abdilaqim Ademi, i cili tha se librat janë cilësor dhe të përshtatura për rrethanat tona dhe për moshën e nxënësve, u vlerësuan se nuk janë adekuat për kushtet e Maqedonisë.

“Me këtë projekt thjesht u bë larje parash, projekt shkel e shko, i stërmbushur me gabime të të gjitha llojeve. Shpresojmë që sa më shpejtë të tërhiqet nga programi mësimor edhe në shkolla fillore”, tha Blerim T., mësimdhënës.

Gjithashtu prindërit u ankuan se librat janë mjaft të vështirë dhe se kërkojnë punën praktike, kurse në Maqedoni sidomos tek paralelet shqipe numri i nxënësve në një klasë është tejet i madh për të punuar në këtë mënyrë.

Prindërit thanë se matematika është tejet e vështirë dhe se nga nxënësit e vegjël kërkohen detyra që madje janë për shkollë të mesme.

Kurse kryetari i LASH-it në Maqedoni, Nuhi Dardhishta kohë më parë elaboroi këtë problematikë për Portalb, dhe tha se autorët shqiptarë janë të bllokuar nga vetë fakti se këto marrëveshje kanë mbyllur konkurset e autorëve vendas.

“Ky është një lloj diskriminimi si për neve shqiptarët ashtu edhe për maqedonasit. Pse të merren libra nga jashtë? Ata ndoshta janë shumë të mirë mirëpo neve nuk kemi kushte që të punojmë me to. Shkaku i këtyre marrëveshjeve, MASH ka mbyllur konkurset për autorët dhe në këtë mënyrë askush nuk mundet të jep programet e tyre të cilat mund t’i kenë realizuar në tekst shkollor”, theksoi Dardhishta.

Se a do të bëhet unifikimi i teksteve mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, nga MASH thonë se ende nuk ka asgjë konkrete sa i përket kësaj çështjeje.

“Nuk ka ende asgjë konkrete sa i përket kësaj çështjeje”, thonë për Portalb, nga zyra për informim e MASH-it.

Atë kohë partia opozitare LSDM, nga e cila parti tani udhëhiqet ky dikaster doli me qëndrimin se nuk ka projekt “Kembrixh” në arsim por ka skandal biznesi me peshë prej 12 milion eurove në të cilin janë përfshirë Qeveria e Maqedonisë së bashku me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat