Mungon femra shqiptare në qeverinë e re

Maqedonia

Mungon femra shqiptare në qeverinë e re

Më: 30 maj 2017 Në ora: 10:50
ilustrim

Asnjë femër nuk është propozuar për ministre nga partitë shqiptare BDI dhe Aleanca për Shqiptare. E ky vendim për shoqatat për të drejtat e grave është zhgënjyes, thekson Savka Todorovska aktiviste për të drejtat e grave.

“Për neve është një zhgënjim total, pasi që në gjithë këto vitet e fundit ka gra me kapacitete të larta të cilat kanë mundur t’ia dalin me këto funksione”, u shpreh Savka Todorovska, Aktiviste.

Ajo shton se LSDM ka respektuar ligjin dhe gratë janë të përfaqësuar 30%, ndërsa partitë shqiptare kanë diskriminuar femrat.  Nga LSDM janë propozuar katër femra për ministre: Radmilla Sheqerinska në mbrojtje, Mila Carovska për Punë dhe Politika Sociale, Renata Deskovska për ministre të Arsimit dhe Zorica Apostollovska ministre pa resor.

Flakron Bexheti nga LR-PDSH thotë se nuk kanë pas luks që të zgjedhin person në bazë të gjinisë, pasi që kishin vetëm një post ministror.

“LR PDSH, ka respektuar dhe do të respektojë përfaqësimin gjinorë, megjithatë, ne kemi një post ministror, dhe nuk e kishim luksin për të zgjedhur aspektin gjinor, dhe vendosëm unanimisht për numrin 2 të partisë Sekretarin gjeneral të LR PDSH z. Arben Taravarin, duke vlerësuar së më mire mund të na përfaqësojë në udhëheqjen e këtij resori të rëndësishëm”, tha Flakron Bexheti, LR-PDSH.

Bujar Osmani thotë se BDI çdoherë ka inkuadruar femrën shqiptare në poste të larta politike.  Sipas tij, nuk përjashtohet mundësia që në zgjedhjet lokale të inkuadrohem më shumë femra.

“Janë konstalacionet e tilla politike që ndoshta në një mandat ose në ndonjë përbërje ministrore nuk ka femër, por kjo nuk do të thotë që në mandatet e tjera ose në përbërjet në nivelet tjera të pushtetit nuk do të involvohen femrat”, tha Bujar Osmani, BDI.

Përfaqësimi i femrës ka qenë jo aq i dëshirueshëm edhe në mandatin e kaluar qeveritar, ku kishte vetëm tre ministre.

Pas publikimit të listës së ministrave shqiptarë në qeverinë e Maqedonisë, deputetja e PD’së në Shqipëri, njëherësh edhe Kryetarja e Aleancës së Grave Deputete në Parlamentin e Shqipërisë, Mesila Doda është shprehur e shqetësuar për mosemërimin e asnjë gruaje në poste ministrore.

Deputetja Doda e konsideron atë si një “Shenje fort e keqe dhe diskriminuese për rolin e gruas shqiptare”.

“Po lexoja listën e ministrave shqiptare në qeverinë maqedonase. Me keqardhje pashë që nuk kishte asnjë grua. Nuk çuditem që punët shkojnë aq keq në atë vend. Shenjë fort e keqe dhe diskriminuese për rolin e gruas shqiptare. Sot duhet të ndjehemi të gjitha të pavlerësuara nga ky fakt. I uroj gjithashtu suksese kandidateve gra në listat e Parlamentit të Kosovës. Shpresoj të votohen sa më shumë dhe të sjellin ndryshimin e historisë për këtë komb, histori progresi, paqe e begati”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat