Ish kryeministri Georgievski: Shqiptarët kanë të drejtë të kërkojnë bashkimin e tyre ose Maqedonia kthehet në shtet musliman

Maqedonia

Ish kryeministri Georgievski: Shqiptarët kanë të drejtë të kërkojnë bashkimin e tyre ose Maqedonia kthehet në shtet musliman

Fitim Dika Nga Fitim Dika Më 21 maj 2017 Në ora: 18:20
Si dënim m’u pezullua hyrja në SHBA - dhe atë deri tani, përkundër që disa politikanë të Kosovës përkundër që janë përgjegjës për shumë krime të këqija mund të ftohen si mysafirë në Uashington.

Ish kryeministri maqedonas, Ljubco Georgievski (51, themelues i OBRM-PDUKM) ka kryer një intervistë për median e njohur ndërkombëtare “Huffington Post”. Ai ka theksuar se kriza në të cilën kalon Maqedonia nuk është etnike, por frikë e ngritjes së procedurave penale kundrejt qeveritarëve të tanishëm që mund të përfundojnë në burg.

Në pyetjen e gazetares Renate Flottau se pse gjatë kohës kur udhëheqte ai shtetin ishte i mendimit ndryshe, Georgievski përgjigjet:

“Ashtu ishte në 2001. Atëherë unë evitova një gjakderdhje dhe Komuniteti Ndërkombëtar qëndronte pas shqiptarëve, të cilët patën ofertën e bashkimit të Tetovës, Gostivarit dhe Dibrës me Kosovën ose Shqipërinë. Por kjo nuk ishte asnjëherë bisedë zyrtare - mbase sepse shumë politikanë maqedonas e kundërshtuan zëshëm dhe mua më shpallën si tradhtar..,” tha ai duke shtuar se atëherë shqiptarët nuk e kërkuan Shkupin, përcjell botasot.info.

Gjeorgjievski thekson më tej se kërkesa e zyrtarizimit të gjuhës shqipe është e “komplikuar” dhe “federalizim” i Maqedonisë. Sipas tij më mirë do ishte që gjuha shqipe të ishte zyrtare në komunat ku ka shumicë shiptare dhe në komunat tjera të kishte vetëm përkthyes.

Shqipëria e madhe realitet ose ëndërr?

Në lidhje me deklaratat e shpeshta për Shqipërinë e madhe ish kryeministri Gjeorgjievski përgjigjet:

“Duhet të jemi realist. Numri i shqiptarëve rritet shpejt. Sot shqiptarët janë 25-30 përqind, ndërsa pas 10-20 viteve Maqedonia do jetë vend musliman. Nga 180.000 nxënës që ndjekin sot shkollën fillore një e treta mësojnë në gjuhën shqipe. Territoret tona kufitare janë 50 përqind me shqiptarë - Shqipëria dhe Kosova. Dhe natyrisht që këta njerëz me të njëjtën përkatësi etnike kanë gjithashtu dëshirën për një shtet të përbashkët,” tha ai duke shtuar se qetësia dhe stabiliteti në Ballkan, e njohur si Fuçi Baruti, do arrihet vetëm atëherë kur në ndonjë Konferencë të ardhshme ndërkombëtare të vizatohen kufijtë e reja.

"Sot kemi tre shtete jo-funkcionale Bosnja, Kosova dhe Maqedonia. A duhet të shikojmë përsëri gjakderdhje përpara se ti pranojmë faktet ashtu siç janë?,” pyet në fund retorikisht ish kryeministri i cili ka edhe mendimin e vet mbi kufijtë e ardhshëm: “Serbia duhet të bashkohet me Republika Srpska dhe Kosovën Veriore, Shqipëria me Kosovën, një pjesë të Maqedonisë perëndimore dhe mundësisht me Luginën e Preshevës; Kroacia merr një pjesë të Bosnjës.”

Pse atëherë Gjeorgjievski sulmoi paramilitarët në Haraçinë gjatë Konfliktit të 2001?

“Në atë konflikt - mbi të gjitha në Haraçinë - nuk kishte të bëjë me shqiptarë, por me rebelë dhe paraushtarakë të paguar,” tha ai duke dashur ta sqarojë diçka për herë të parë. “Përdallim nga shumë vende tjera europiane, unë mbështeta ndërhyrjen ushtarake të NATO në Jugosllavinë e 1999. 15 ditë përpara kapitullimit të Miloshevicit unë u pajtova që territori i Maqedonisë të jetë në dorëzim të trupave të NATO, me qëllim që NATO të na mbronte më pas nga pasojat e mundshme të pasluftës. Kur erdhi konflikti në 2001 ne nuk na mbështeti askush dhe si kryeministër duhesha të veproja vetëm. Si dënim m’u pezullua hyrja në SHBA - dhe atë deri tani, përkundër që disa politikanë të Kosovës përkundër që janë përgjegjës për shumë krime të këqija mund të ftohen si mysafirë në Uashington. Kjo erdhi, mbase se SHBA kërkonte aleatë besnikë dhe të vërtetë në rajon. Por gjatë kohëve të fundit është shtuar mjaft radikalizmi në Tiranë dhe Kosovë, andaj gjërat mund të kenë ndryshuar. Nuk jam i sigurt nëse pas dhjetë vitesh shqiptarët do jenë me SHBA ose Arabinë Saudite.”

Rusia si alternativë e radikalizmit musliman

Gjeorgjievski shton se sot nuk mund të konceptohet më politika amerikane ose europiane që kërkojnë të rrëzojnë nga pushteti luftuesit e radikalëve muslimanë si Assadin, ndërsa në anën tjetër mbështesin financuesin kryesor të terrorizmit Arabinë Saudite.

“Shpesh nga frika e radikalizmit musliman shumë vende të rajonit mbështeten te Rusia, për shkak edhe të nostalgjisë së dikurshme. Kjo vjen si alternativë ndaj BE.”

Kryeministri i ardhëm duhet të jetë më fleksibil rreth “emrit”

“Natyrisht shqiptarët nuk duhet ta tejkalojnë me kërkesat e tyre. Por nëse Maqedonia bëhet anëtar i NATO dhe fillon bisedimet për anëtarësim në BE, brenda pak vitesh do kthehet në vend stabil dhe paqësor. Unë mendoj, që kryeministri i ri duhet të jetë gjithashtu më fleksibil rreth kontestimit të emrit me Greqinë që është edhe bllokada më e madhe e deritanishme në rrugën tonë euro-atlantike. Çdo alternativë tjetër do ishte hap për krijimin e një shteti jo funkcional në planin afatgjatë.”/Bota sot

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat