Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup ka shpërndarë një njoftim në lidhje me situatën politike në Maqedoni. SHBA-të thonë se së bashku me aleatët e saj strategjikë si NATO dhe BE ka ndjekur nga afër procesin e formimit të qeverisë në Maqedoni menjëherë pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit të vitit 2016.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bën thirrje liderëve të Maqedonisë të formojnë një qeveri të re, pa vonesa të mëtejshme, në përputhje me Kushtetutën dhe aspiratat e Maqedonisë për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe në NATO. Formimi i një qeverie të re të angazhuar në sundimin e ligjit dhe zbatimi i reformave të nevojshme do të ndihmojë për t’i dhënë fund një krize politike që ka penguar rëndë integrimin demokratik dhe zhvillimin ekonomik e euroatlantik të vendit”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës iu bën thirrje të gjitha palëve për të vënë interesin e Maqedonisë dhe qytetarët e saj mbi të gjitha, të punojnë së bashku në mënyrë konstruktive dhe të zbatojë plotësisht të gjitha angazhimet sipas marrëveshjes Przino.