Reagimi i NATO-së, manifeston shqetësimin për sigurinë në Maqedoninë

Maqedonia

Reagimi i NATO-së, manifeston shqetësimin për sigurinë në Maqedoninë

Më: 27 shkurt 2017 Në ora: 18:14
Ilustrim

Reagimi i djeshëm i sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, në njërën anë krijon vend për shqetësim sepse tregon se situata në Maqedoni është e tensionuar, por nga ana tjetër kjo tregon edhe për interesimin e NATO-s për vendin që nënkupton se pavarësisht vazhdimit të procesit politik, stabiliteti i vendit nuk do të rrezikohet. Kështu vlerësojnë njohësit e rrethanave politike.

Sipas gazetarit Isen Saliu, deklarata e NATO-s vjen pas toneve kërcënuese që janë paraqitur kohën e fundit, lidhur me formimin e Qeverisë dhe koalicionit pa VMRO-DPMNE-në.

“Reagimi i instancës më të lartë të NATO-s në njërën anë krijon vend për shqetësim sepse tregon se situata në Maqedoni është e tensionuar dhe meqë NATO është organizatë për siguri dmth jep sinjale se edhe situata e sigurisë në Maqedoni është rrezikuar. Megjithatë nga ana tjetër, kjo tregon se Nato është duke e përcjellur nga afër situatën në Maqedoni, se Nato është e interesuar që situata në Maqedoni mos dalë jashtë kontrollit, posaçërisht situata në sferën e re dhe kjo jep shpresë se pa marrë parasysh se si vazhdon procesi politik për formimin e qeverisë, stabiliteti i Maqedonisë nuk do të rrezikohet”, ka deklaruar për Tv Shenja, Isen Saliu, analist 

Gazetari Branko Gerovski, tha se gjërat që po ndodhin kohën e fundit në Maqedoni, si paralajmërimet për protesta, për marrje eventuale të pushtetit me agresivitet dhe kthim në Qeveri të partisë e cila deri më tani ishte në pushtet, janë çështje që kërcënojnë sigurinë e vendit dhe sipas tij, pas gjitha këtyre gjërave reagimi i NATO-s ishte shumë i pritshëm.

“NATO-ja shpreh shqetësim për shkak të retorikës në Maqedoni, për shkak të thirrjeve, praktikisht për luftë, të cilat mund në mënyrë të rrezikshme ta kërcënojnë sigurinë në Maqedoni, dhe ta kthejë dikund në periudhën përpara vitit 2001, dhe besoj se ajo tanimë është çështje e cila mund ta kërcënojë edhe rajonin, dhe për këtë arsye për mua ishte i pritshëm reagimi i NATO-s”, ka thënë Branko Gerovski, gazetar për Tv Shenja.

NATO dje nëpërmjet një komunikate kërkoi që mandati për formimin e Qeverisë t’i jepet liderit të partive që kanë mbledhur nënshkrimet e mjaftueshme për të formuar Qeverinë e re. Nëpërmjet komunikatës ata u bënë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen në deklaratat dhe veprimet e tyre dhe të njejtit të marrin vendime për të mirën e të gjithë qytetarëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat