Hahn takohet sot me presidentin e Maqedonisë

Maqedonia

Hahn takohet sot me presidentin e Maqedonisë

Më: 10 shkurt 2017 Në ora: 08:23
Komisioneri evropian për Politikë Fqinjësore dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn

Komisioneri evropian për Politikë Fqinjësore dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn, po qëndron në Maqedoni, ku sot në orët e mëngjesit pritet të takohet me presidentin e vendit, Gjorgje Ivanov.

Ai mbrëmë ka përfunduar takimet me udhëheqësit e gjashtë subjekteve politike në Maqedoni të cilat në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 11 dhjetor të vitit të kaluar fituan vende deputetësh në Kuvend, takime të cilat ishin në përpjekje për të parë mundësitë për formimin e qeverisë së re.

Takimi i fundit i eurokomisarit Hahn, sonte ishte me liderin e VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski. Ai takimet e sotme me krerët politike i filloi me kryetarin e Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, pastaj me kryetarin e LR-PDSH-së, Ziadin Sela dhe me liderin në dorëheqje të Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi.

Hahn pas takimit me liderin e PDSH-së u takua edhe me liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) dhe me atë të Lidhjes Sociale Demokratike të Maqedonisë (LSDM).

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, duke e konsideruar eurokomisarin Hahn si një person shumë të interesuar për të ndihmuar Maqedoninë në arritjen e qëllimeve të saja strategjike, tha se vendit i nevojitet një zgjidhje që prodhon stabilitet, që forcon paqen dhe marrëdhëniet ndëretnike, si dhe një zgjidhje që ofron garanci të sigurta se në këtë vend do të ketë reforma të mirëfillta, ku do të funksionojë shteti i së drejtës.

Në lidhje me bisedimet me Lidhjen Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM) për formimin e Qeverisë së re, Ahmeti tha se pret ofertë me shkrim, me ç’rast do të mbahet seancë e kryesisë dhe do të marrin vendimin e duhur, vendim për të cilin sipas tij nuk duhet të nxitohet për arsye të rëndësisë së tij ndaj vendit.

“A është më me rëndësi të merret një vendim i drejtë apo të marrin një vendim të shpejtuar dhe të bëjmë aksident? Në Belgjikë konsultimet për formimin e qeverisë zgjatën dy vite. Ne nuk jemi Belgjikë dhe unë nuk them dy vite të zgjasë kjo situatë. Nuk është situatë pa zgjidhje, por zgjidhja duhet të jetë e drejtë dhe e vërtetë”, deklaroi Ahmeti.

Ndërkaq, lideri LSDM-së, Zoran Zaev duke konsideruar se nga Ahmeti kërkohen detaje nga programi i partisë politike që drejton ai, tha se do të dorëzojë kërkesën e tij deri te lideri Ahmeti, me qëllim që të arrijnë të formojnë qeverinë e re.

“Mbetemi me shpresë se duhet të bëhet gjithçka dhe ju siguroj se koalicioni i LSDM-së është duke bërë gjithçka që sa më shpejtë të përmbyll procesin e mbledhjes së nënshkrimeve që të mund të vazhdojmë me bisedimet për formimin e Qeverisë së Maqedonisë”, u shpreh Zaev.

Në lidhje me platformën e përbashkët të partive politike shqiptare në Maqedoni, përsëriti se partia e tij qëndrimet për platformën në fjalë do t’i japë pas marrjes së mandatit për formimin e qeverisë së re. Ai shtoi se nuk mundohet të ikë nga platforma dhe se kanë aspekt pozitiv për atë, sepse siç tha ai, është sfidë për diçka që për një pjesë të qytetarëve është pengesë në jetën e tyre të përditshme.

Lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, pas takimit me eurokomisarin Hahn tha se ka ardhur të takojë një mik të shqiptarëve, siç është Hahn.

“Të dy u pajtuam se kishim shumë shpresë se do ta lëmë krizën pas vetes se nëpërmjet zgjedhjeve do të arrijmë zgjidhje e cila fatkeqësisht nuk duket aty për çka jemi të shqetësuar", tha Thaçi.

I pyetur për mbajtjen e mundshme të zgjedhjeve të parakohshme, Thaçi tha se ata asnjëherë nuk do të jenë pjesë e qeverisë në të cilën është edhe BDI, arsye për të cilën siç theksoi ai, nuk ka marrë pjesë në takimet në Tiranë dhe Prishtinë.

Ndërkaq, lideri i LR-PDSH-së, Ziadin Sela, pas takimit deklaroi se BE-ja shpreh interes të madh për stabilitetin dhe paqen në Maqedoni dhe se është e interesuar që vendi sa më shpejtë të formojë qeveri në mënyrë që të përkushtohet në reformat e nevojshme të nisura më herët.

“Bashkërisht konkluduam se zgjedhjet e parakohshme nuk janë opsion dhe nuk duhet assesi të ndodhin. Kjo ishte tema kryesore të cilën e biseduam me komisionerin Hahn”, tha Sela, si dhe shtoi se nuk ka formim të qeverisë pa u pranuar platforma e përbashkët e partive politike shqiptare në Maqedoni.

Sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes BESA, Afrim Gashi, i cili shoqëroi liderin Bilall Kasami në takimin me Hahn, deklaroi se BE-ja përmes eurokomisarit është këtu për të ndihmuar vendin që sa më shpejtë të dal nga kjo krizë.

“Nuk dëshirojnë të përzihen në punët tona të brendshme, por këtu janë për të na ndihmuar që sa më shpejtë të bëjmë qeveri të re dhe përfundimisht të dalim nga kriza ekonomike, politike dhe institucionale”, tha Gashi pas takimit.

Gashi theksoi se Lëvizja BESA është e gatshme t’i japë nënshkrimet LSDM-së opozitare për marrjen e mandatit për formimin e qeverisë, por theksoi se në lidhje me konsultimet e vetë qeverisë, ky është një proces tjetër për të cilin do të negociojnë.

“Nëse diçka në ato marrëveshje është në kundërshtim me parimet tona, natyrisht se nuk do të jemi pjesë e këtij pushteti”, u shpreh Gashi. Më herët, pas takimit të ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të Ballkanit që u mbajt në Shkup, eurokomisari Hahn deklaroi se është e rëndësishme që qeveria e re e Maqedonisë të formohet në bazë solide dhe të gjerë, që do të ndjek perspektivat evropiane. Ai theksoi se në Shkup ka ardhur t’i dëgjojë liderët e partive politike në Maqedoni dhe nuk do të japë propozime.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat