Partia e Zaevit ende pa përgjigje për platformën e partive shqiptare

Maqedonia

Partia e Zaevit ende pa përgjigje për platformën e partive shqiptare

Më: 15 janar 2017 Në ora: 23:27
Zoran Zaev

LSDM-ja vazhdon të hesht për platformën e partive shqiptare. U bë një javë që nga kjo parti refuzojnë të dalin me qëndrim publik për 7 pikat e cekura në dokumentin e nënshkruar nga BDI-ja, Besa dhe Aleanca për Shqiptarët.

Burime nga LSDM, për TV21 thonë se, Gruevski është ai që duhet të prononcohet për platformën sepse mandati është në duar të tij. Të njëjtin qëndrim gjatë ditës së djeshme e shprehu edhe anëtari i komitetit ekzekutiv të LSDM-së Pece Mirçeski.

“Kur të vijë koha, LSDM do t’i tregojë pozicionet e saja rreth situatës së përgjithshme politike. Për momentin, mandati i është dhënë VMRO-DPMNE-së, ndërsa mandatar për formimin e qeverisë është Gruevski. Këta duhet të prononcohen rreth platformën të bllokut shqiptar. Kur të vijë koha, LSDM do t’i shfaqë qëndrimet e saja”, deklaroi Mirçeski,

Nikolla Gruevski dhe Ali Ahmeti kanë afat edhe dy javë për t’i kristalizuar pozitat dhe për të gjetur gjuhë të përbashkët për formimin e kabinetit të ri qeveritar. Megjithatë, në opinion ekziston dilemë se a do t’ia dalin të merren vesh liderët e BDI-së dhe të OBRM-PDUKM-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat