Në Gradec të Gostivarit fshihet një e vërtetë shqiptare!

Maqedonia

Në Gradec të Gostivarit fshihet një e vërtetë shqiptare!

Më: 12 janar 2017 Në ora: 14:51
Gradeci i Gostivarit

Ka shumë lokalitete në regjionin e gjerë të Gostivarit, që ende vazhdojnë të qëndrojnë të paprekura nga dora hulumtuese, edhe pse mendohet që të njëjtat të ngërthejnë në vete fakte të rëndësishme që do ta pasurojnë historinë e popullatë shqiptare, shkruan gazeta KOHA. Një prej shumë lokaliteteve për të cilat ekzistojnë dyshime për fshirje të gjurmëve shqiptare, ndodhet në fshatin Gradec (Draodacum), ku para shumë vitesh filloi një gërmim sipërfaqësorë, por nuk u zbardh ndonjë detal i rëndësishëm se për çka bëhet fjalë, sepse e gjithë çështja ngeli në suaza të supozimeve. Gradeci zë një vend të veçantë në historinë e trevave shqiptare, më herët në thellësi të shekujve, Arbërore, Ilire, Dardane. Burime nga parahistoria, dëshmi të autorëve të lashtë, provat e kërkimeve të onomastikës, të arkeologjisë, na çojnë në argumente të padiskutueshme të prejardhjes Ilire e vazhdimësisë iliro-shqiptare. Arkeologjia akoma nuk e ka thënë fjalën e saj për Gradecin, i njohur ndryshe si Draodakum. Profesori i historisë, Zeqirja Idrizi, i cili vjen nga ky fshat, thotë se mbeturinat e murit që rrethonin qytezën antike Draodakum, ekzistojnë edhe sot. Të dhënat e kohës së Perandorisë Bizantine janë mjaft të mjegullta.

“Thuhet se Frederik Barbarosa e mbajti të rrethuar qendrën e Gradecit në kohën e kryqëzatave dhe mbasi e pushton qytezën, e djeg dhe e rrënon gjer në themel, duke ia dorëzuar për qeverisje Stefan Njemanjës. Në pjesën jugore, ku sot është rezervuari i ujit, janë varrezat e asaj kohe. Me vendosjen e pushtimit osman u ndalua dyndja e mëtejshme sllave. Megjithatë, në disa qytete mbetën një numër i vogël elementesh të kësaj kombësie, duke bashkëjetuar me popullsinë vendase”, thotë Idrizi. Adnan Fejzullahu, drejtor i Qendrës Konservuese në Gostivar, në cilësi të historianit beson se aty bëhet fjalë për lokalitet arkeologjik që daton nga periudha ilire. Për këtë lokalitet, sivjet për të gjashtin vit me radhë kanë konkurruar në Ministrinë e Kulturës, por i njëjti asnjëherë nuk është pranuar nga ana e komisionit dhe ministrisë përkatëse. Sipas tij, mungon vullneti politik apo është ndonjë prapavijë tjetër që pengon zbardhjen e këtyre fakteve të rëndësishme.

“Ne si qendër kemi bërë ankesa për këtë projekt që nuk është miratuar nga ana e Ministrisë për Kulturë, me qëllim që të gjendet ndonjë mënyrë për tu pranuar. Ka 6 vite që ne konkurrojmë dhe ky projekt nuk na pranohet. Përgjigjet janë të llojllojshme se Qendra Konservuese nuk disponon me kuadër adekuat, pastaj se Qendra Konservuese nuk ka ingirenca për të vepruar jashtë territorit të komunës së Gostivarit. Por unë insistoj në këtë projekt se besoj se ai është një lokalitet arkeologjik që neve mund të na jep dëshmi të forta dhe materiale burimore që mund të na flasin për të kaluarën e popullatës së Pollogut që nga koha Ilire. Unë mendoj se mungon vullneti politik dhe ai profesional për tu bërë një gjurmim i mirëfilltë”, deklaron Fejzullahu.

Ky lokalitet shpesh ka qenë edhe në shënjestër të njerëzve të papërgjegjshëm të cilët kanë gërmuar ilegalisht me besimin se aty fshihet sasi e madhe e arit. Me këtë rast, Fejzullahu lut banorët që ta mbrojnë këtë vend deri sa i njëjti të merret në mbrojtje të Qendrës Konservuese dhe deri sat ë fillojnë gërmimet ligjore. “Unë apeloj që banorët ta mbrojnë këtë lokalitet deri sat ë fillojnë gjurmimet. Problemet më të mëdha i kanë bërë njerëzit e papërgjegjshëm të cilët duke menduar se ka thesare me arë, kanë bërë gjurmime jo ligjore, fakt ky që ka revoltuar jo vetëm historianët por edhe popullatën e këtij vendbanimi. Ne si qendër nëse marrim ingirenca do të marrim për sipër edhe mbrojtjen e këtij lokaliteti, do të bëjmë një hulumtim me një hartim të një projekti me qëllim që të fillohen gërmimet ligjore”, shton ai.

Fejzullahu thotë se pikërisht dëmi që mund të sjellin njerëzit e papërgjegjshëm është një arsye më shumë që të gjendet ndonjë model se si ky projekt të miratohet dhe të fillojnë hulumtimet e mëtejme. Që situata të bëhet akoma më e rëndë, aty tash më ka edhe shtëpi banimi dhe kjo do e vështirësojë edhe më shumë hulumtimin. Pra, sipas Fejzullahut, bëhet fjalë për një lokalitet të rëndësishëm, por që ka vështirësitë e veta gjatë kryerjes së punës praktike, por me një projekt konkret dhe me njerëz profesionist mund të tejkalohen edhe sfidat më të mëdha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat