“Platforma e shqiptarëve nuk e rrezikon Maqedoninë”

Maqedonia

“Platforma e shqiptarëve nuk e rrezikon Maqedoninë”

Më: 11 janar 2017 Në ora: 19:50
Ilustrim

Platforma e përbashkët e shqiptarëve nuk prek në shtetësinë e Maqedonisë, nuk provokon etnitete tjera. Kështu ka deklaruar ish ministri Mersim Pollozhani në emisionin “Arena”,  duke shtuar se platforma ishte një domosdoshmëri e kohës dhe vendit.

“Ajo është vetëm një trajektore se si duhet të lëvizë politika shqiptare, si duhet të veprojnë partitë politike shqiptare që kanë marrë pjesë dhe që do të marrin pjesë në Parlamentin e Maqedonisë. Ajo është një udhërrëfyes se çka është e përbashkëta e shqiptarëve, udhërrëfyes si duhet ta bashkërendisin veprimin e tyre politik pa marrë parasysh bindjet ideologjike”, ka deklaruar Mersim Pollozhani, ish ministër.

Nga ana tjetër, profesori universitar Mersim Maksuti, vlerëson se si rezultat i keqqeverisjes së VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, erdhi deri te formulimi i kësaj platforme të përbashkët, e cila sipas tij, duhet analizuar në shumë aspekte.

“Është një marrëveshje që duhet analizuar nga më shumë aspekte që ne të gjykojmë dhe analizojmë pse e kemi pikërisht. Më shumë analiza, më shumë qasje kërkon sepse e kemi si rezultat i më shumë faktorëve, sepse në të kundërtën do të themi se pikat të cilat i parasheh kjo marrëveshje, si ato katër që janë pak më të ndijshme, që ka të bëjë me çështjen e shtetformësisë, me çështjen e përdorimit zyrtar dhe të plotë të gjuhës shqipe, me ndarjen e buxhetit”, ka thënë Mersim Makusti, profesor universitar.

Platforma e përbashkët e partive shqiptare u publikua të shtunën më 7 janar, ndërsa është nënshkruar nga BDI-ja, koalicioni “Rilindje me Besë” dhe “Aleanca për Shqiptarët”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat