Rasti “Kumanova”: Gjykimi i Komandant Sulës me dyer të mbyllura

Maqedonia

Rasti “Kumanova”: Gjykimi i Komandant Sulës me dyer të mbyllura

Më: 2 nëntor 2016 Në ora: 12:02
Pamje nga seanca

Seanca e sotme për gjykimin e Sulejman Osmanit, pjesëtar i “grupit të armatosur të Kumanovës”, ka nisur me dyer të mbyllura për opinionin.

Sipas avokatit mbrojtës Naser Raufi, seanca është e mbyllur për shkak se në rend është shqyrtimi i transkriptave të telefonatave.

Sulejman Osmani, i njohur në opinion si “Komandant Sula”, është ekstraduar më 22 qershor të këtij viti, nga Kosova në Maqedoni.

55-vjeçari ishte arrestuar në Kosovë në korrik 2015, pas një flet-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Maqedonia si i përfshirë në Grupin e Kumanovës, ku mbetën të vrarë tetë policë.

Osmani u bë i njohur për opinionin publik pas dorëzimit të të mbijetuarve të konfliktit, ku ai në mënyrë misterioze, me pranga në duar, arriti t’i ikë policisë maqedonase.

Osmani për disa media deklaroi se kishte arritur të arratiset, pasi ishte dërguar nga policia me helikopter për ta treguar vendin e fshehjes së armëve të grupit të armatosur afër fshatit Gushincë.

Gjykimi i Osmanit, bëhet ndaras nga 37 të akuzuarit të tjerë, pasi që nisi më vonë dhe Gjykata nuk pranoi për ta bashkuar lëndën, pasi që do të duhej të kishte rigjykim nga fillimi.

Përndryshe, vitin e kaluar në Lagjen e Trimave në Kumanovë, një grup i armatosur është përleshur me forcat e sigurisë të Maqedonisë. Nga rasti në fjalë, u vranë 8 policë nga njësitet speciale dhe nga njësitet e veçanta të MPB-së, 42 u plagosën. Ndërkaq, humbën jetën edhe 10 pjesëtar të grupit të armatosur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat