Menduh Thaçi: PDSH-ja do të kontribuojë për zgjedhje korrekte dhe demokratike

Maqedonia

Menduh Thaçi: PDSH-ja do të kontribuojë për zgjedhje korrekte dhe demokratike

Më: 20 tetor 2016 Në ora: 14:26
Menduh Thaçi

Lideri i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni Menduh Thaçi pas takimit të sotëm me ambasadorin amerikan Xhes Bejli deklaroi se qëndrimi i përbashkët është se zgjedhjet janë pika e parë, por kryesore, e cila do të demonstrojë gatishmëri të Maqedonisë si shtet në të cilin zbatohen zgjedhjet.

Thaçi takimin e vlerësoi si një nga takimet më të rëndësishme me ambasadorin amerikan  në të cilën ato janë fokusuar në procesin zgjedhor.

"Konstatuam se nuk janë të rëndësishme vetëm institucionet dhe individët, por shumë e rëndësishme është vullneti politik i të gjithë subjekteve të cilët do të marrin pjesë në këtë proces", tha Thaçi.

Potencoi se PDSH-ja garanton se do ta japë kontributin e saj që zgjedhjet të jenë sipas standardeve dhe vlerave të faktorit ndërkombëtar, përkatësisht korrekte dhe demokratike.

Në pyetjen e gazetarëve për njësinë zgjedhore 6, Thaçi tha se ajo është problem, etnik por edhe mes partive të shqiptarëve, për çka ka treguar edhe në takimin e liderëve.

"Fajtor kryesor dhe përgjegjës për këtë situatë është BDI-ja,  e cila konsideron se nëse njësitë zgjedhore janë të njëjta, ato automatikisht do të humbin  dy deri në tre deputetë. Me këshillë të bashkësisë ndërkombëtare, nuk kam bërë problem të mos shkojmë në zgjedhje, sepse do të isha alibi  i dikujt  që realisht nuk dëshiron të kemi zgjedhje. Është shumë e rëndësishme, të gjithë të kuptojmë  se zgjedhjet kredibile janë një mundësi për ekzistencë politike të partive politike dhe individuale", tha Thaçi.

Potencoi se PDSH-ja mbetet në qëndrimin fillestar për NJZ 6 dhe vazhdon ta ngadalësojë, por nuk mundet të jetë alibi i dikujt që dëshiron ta kundërshtojë mbajtjen e zgjedhjeve.

Në raport të listave të deputetëve të PDSH-së, paralajmëroi se ato shumë shpejtë do të përpilohen dhe publikohen.

"Deputetët e PDSH-së demonstruan një lojalitet të madh në këtë mandat dhe nuk u shitën  në kurrfarë oferta. Kaluam nëpër një periudhë shumë të rëndë edhe si shteti ashtu edhe PDSH-ja. Misioni i tyre me këtë ka përfunduar, që do të thotë se do të ketë figura të reja. Do të ketë kandidatë të rinj, por do të ketë edhe kandidatë të cilët janë për momentin për shkak të kontinuitetit në punën e grupit parlamentar", tha Thaçi.

Lidhur me punën e PPS-së Thaçi tha se nuk dëshiron të flasë, kur flet drejtësia dhe se vlerësime politike mund të japë në fund të procesit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat