Partive shqiptare ende s'u bëhet vonë për zgjedhjet e 11 dhjetorit në Maqedoni

Maqedonia

Partive shqiptare ende s'u bëhet vonë për zgjedhjet e 11 dhjetorit në Maqedoni

Më: 4 tetor 2016 Në ora: 16:20
Ilustrim

Ndryshe nga kolegët e tyre maqedonas, të cilët prej kohësh kanë filluar promovimin e programeve parazgjedhore, aktivitetet e liderëve të partive parlamentare shqiptare kanë qenë të zbehta. Kreu i PDSH-së opozitare, Menduh Thaçi, vetëm para pak ditësh ka filluar takimet me strukturat e partisë dhe kontaktet me qytetarët, ndërsa ai i BDI-së në pushtet, Ali Ahmeti, nuk është parë ende në terren.

Nga BDI-ja, pavarësisht insistimit të televizionit, nuk deshën të zbulojnë programin e tyre me të cilin do të garojnë në zgjedhjet e 11 dhjetorit, ndërsa PDSH-ja zbardhi se në këto zgjedhje shtylla kryesore të platformës së tyre do të jenë zgjidhja e statusit juridiko-kushtetues të shqiptarëve, integrimet euro-atlantike si dhe amnistia fiskale dhe e përgjithshme e shqiptarëve.

“Shqiptarët janë në gjendje shumë të rëndë dhe shteti u ka borxh shqiptarëve dhe jo e kundërta siç e paraqesin të tjerët dhe amnistia e përgjithshme duke vlerësuar se burgjet janë të stërmbushura me shqiptarët dhe duhet të jepet një amnisti e përgjithshme që pastaj nëse eventualisht ka prej atyre që kanë bërë krime të rënda të fillojnë rigjykime”, tha Bekim Fazliu, PDSH, raporton "Alsat".

Nga PDSH-ja gjithashtu u shprehën të bindur se programin e tyre do të mund ta zbatojnë nëse i fitojnë zgjedhjet pavarësisht se cilën parti maqedonase do ta kenë si partnere. Ndërkaq edhe partitë shqiptare jashtëparlamentare LR PDSH e Ziadin Selës dhe Lëvizja Besa vijojnë aktivitetet parazgjedhore. LR PDSH promovon konceptin për “Maqedoni Binacionale” ndërsa Besa platformën për “ridefinimin” e vendit. Nga ana tjetër edhe në bllokun maqedonas partitë më të vogla kanë filluar aktivitetet parazgjedhore dhe shpalosjen e platformave të tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat