Zonat e përmbytura, të harruara nga shteti

Maqedonia

Zonat e përmbytura, të harruara nga shteti

Më: 27 shtator 2016 Në ora: 18:31
Permbytjet

Banorët e fshatrave që pësuan nga përmbytjet e gjashtë gushtit ende nuk kanë marrë mjetet për kompensimin e dëmeve. Disa zona madje ende nuk janë pastruar tërësisht. Banorët e fshatit Straçincë thonë se kanë probleme me infrastrukturën rrugore për çka vështirësohet qarkullimi i tyre.

“Nuk mund të shkojmë nëpër ara sepse asfaltin e kanë bërë me zall. Na kanë premtuar se do ta bëjnë rrugën me asfalt por kur, se di. Na u prishën edhe gomat edhe veturat të gjitha. Njerëzit kanë të sëmurë nëpër shtëpi, duhet të na e rregullojnë këtë gjë”.

“Jo, jo nuk na kanë dhënë mjete. Ato që na i dhanë gjithë fshatit në fillim nga 500 euro dhe të tjera nuk ka. Një ulëse është 500 euro, ndërsa krejt gjërat i kemi të prishura. Si pikë e parë nuk mund ta punojmë fushën, rruga është e zënë, arrat janë mbushur me zall dhe nuk mund t’i punojmë. Na kanë thënë se rrugën do ta riparojnë menjëherë por nuk ka asnjë lëvizje”.

“Deri më tash kemi marrë nga 500 euro , Kryqi i Kuq lëshoi mjete por nuk na i dhanë na i ndalën na thanë i keni llogaritë e bllokuara. Ende nuk jam duke e rregulluar shtëpinë, ende po punoj. I kam muret e rrënuara por s’interesohet askush. Unë kam dëm mbi 2-13 mijë euro, ka shanse që të mos marr aspak kompensim”.

Gjendja e njëjtë paraqitet edhe në Hasanbeg. Edhe në këtë lagje shumë banorë thonë se pos avancit prej 500 eurove, deri tani nuk kanë marrë asnjë qindarkë për kompensim.

“Ato 500 eurot si avans na i kanë dhanë edhe atë jo të gjithëve, dikush nuk i ka marrë as ato. Kurse ato 250 euro të Kryqit të Kuq edhe ato dikush i ka marrë dikush jo. Dëmshpërblime të tjera ende nuk ka marrë askush nga ne. Vetëm te mëhalla jonë pesë shtëpi janë nisë të ndërtohen edhe atë me financat e veta”.

“Më shumë na kanë ndihmuar miqtë dhe familjarët kush ka pasur mundësi. Me ato 500 eurot e shtetit vetëm dy dyer mund ti blesh, asgjë më tepër”.

Në seancën plenare më 19 shtator Qeveria vendosi për t’i kompensuar 100 për qind banorët e pësuar nga përmbytjet. Por tetë ditë pas miratimit të këtij vendimi, i njëjti nuk ka filluar të zbatohet në praktikë./Alsat.M/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat