PSP sot prezanton raportin e dytë gjashtëmujor

Maqedonia

PSP sot prezanton raportin e dytë gjashtëmujor

Më: 15 shtator 2016 Në ora: 09:00
Foto ilustrim

Prokuroria Speciale sot duhet të publikojë raportin e dytë gjashtëmujor rreth punës së saj.

Me publikimin e këtij raporti do të shënohet edhe njëvjetori i themelimit të këtij institucioni dhe emërimi i Katica Janevës në krye të tij.

Në raportin e parë Janeva njoftoi se ka ngritur procedura hetimore për 80 persona edhe atë për keqpërdorime dhe shkelje të ndryshme të lidhura me zgjedhjet, keqpërdorimin e funksionit dhe të dhënave personale, krim financiar e të tjerë.

Ka edhe të tillë që dyshohen për përgjim të paligjshëm, spiunim, dhunë ndaj bartësve të funksioneve të larta shtetërore, shkelje të barazisë qytetare dhe bashkim kriminel në kuadër të aksioneve “Titaniku”, “Tortura”, “Fortesa”, “Transportuesi” dhe “TNT” dhe në rastet që së fundmi i morri Specialja nën kompetencë “Puçi” dhe “Spiuni”.

Në listën e personave të dyshuar janë lideri i OBRM-PDUKM-së Nikolla Gruevski, ish ministrat Gordana Jankullovska dhe Mile Janakievski, ish shefi i DSK-së Sasho Mijallkov, kryetari i Liqenasit të Shqipërisë Edmond Temelko, kryetari i Gazi Babës, Toni Trajkovski dhe i Manastirit Vlladimir Taleski.

Sipas ligjit për Prokurori Speciale, ky trup i veçantë për përndjekjen e krimit dhe korrupsionit që buron nga bisedat e përgjuara, duhet të japë raport çdo gjashtë muaj.

Në raport mund të mos shënohen hetime të caktuara nëse Janeva vlerëson se kjo gjë mund ta pengojë procesin.

Prokuroria Publike u deklarua kompetente për 34 lëndë mes të cilave nuk u gjet rasti “Monstra”, “Sopoti”, “Kumanova” dhe disa të tjera që shumica e popullatës shqiptare dyshojnë se janë raste të montuara politike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat