Banorët e rajoneve të përmbytura, nga një shtatori mbeten në rrugë

Maqedonia

Banorët e rajoneve të përmbytura, nga një shtatori mbeten në rrugë

Më: 29 gusht 2016 Në ora: 09:49
Ilustrim

Nga 1 shtatori nuk kemi ku shkojmë. Kështu thonë familjet e zhvendosura, të cilat mbetën pa strehë për shkak të vërshimeve në Maqedoni dhe që për momentin janë vendosur në konviktet studentore.

Disa familje që janë vendosur në hapësirat e universitetit FON, thonë se për tre ditë do duhet t’i braktisin hapësirat, pasi atje do vijnë studentët ndërsa askush nga kompetentët nuk i ka vizituar për t’u treguar se çfarë do bëhet me hallin e tyre.

“Këtu jemi tash 20 ditë, deri me datë 1. Nga 1 shtatori na thanë të kërkojmë çare. Ku të shkojmë dhe çka të bëjmë edhe ne nuk dimë. Qeveria duhet të ndërmarrë diçka”, tha Sabija Mujoviq.

“Nuk kemi ku të shkojmë. Armata mi nxorën gjërat jashtë, por nuk erdhën t’i largojnë. Kemi shumë baltë, ku të shkojmë. Nga data 1 nuk kemi ku të shkojmë”, u shpreh Vasija Fazlioska.

Qytetarët që pësuan nga vërshimet dhe që tani janë të vendosur në konviktin e studentëve “Tomi Stefanovski Seniq”, thonë se aty mund të qëndrojnë 6 muaj, por janë të shqetësuar për fëmijët e tyre që për disa ditë fillojnë me shkollën.

Ata thonë se ende nuk kanë marrë kurrfarë ndihme nga autoritetet. Përmbytjet që para tre javësh përfshinë rajonin e Shkupit shkaktuan dëme të mëdha në thuajse 5 mijë familje ndërsa shumë prej tyre mbetën pa strehë mbi kokë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat