Komisioni i medieve vë në pikëpyetje marrëveshjen politike

Maqedonia

Komisioni i medieve vë në pikëpyetje marrëveshjen politike

Më: 27 gusht 2016 Në ora: 20:54
Ilustrim

Edhe katër ditë deri në takimin e liderëve të katër partive kryesore nënshkruese të marrëveshjes politike, mbetet e paqartë nëse do të ketë ose jo zgjedhje të parakohshme parlamentare në dhjetor në Maqedoni, ashtu siç është paralajmëruar disa herë nga vetë drejtuesit e partive.

Shkas për këtë paqartësi është bllokimi i procedurës së zgjedhjes së anëtarit të pestë të komisionit ad-hoc për monitorimin e medieve.

Ky anëtar do të jetë shqiptar dhe do të zgjidhet nga katër anëtarët e tjetër, dy të propozuar nga pushteti dhe dy nga opozita, por ata nuk po mund të merren nëse ai duhet të jetë komunikologu, Sefer Tahiri, që e ka mbështetjen e dy anëtarëve të propozuar nga opozita, apo gazetarit dhe ish- anëtarit të Komisionit për lustrim, Daut Dauti, që e ka mbështetjen e anëtarëve të partive në pushtet.

“Për momentin nuk ka lëvizje nga qëndrimet. Gjatë kësaj fundjave nuk do të takohemi, përveç në rast se partitë arrijnë ndonjë marrëveshje, apo kompromis, atëherë ne jemi të gatshëm të takohemi dhe të zgjedhim edhe anëtarin e pestë të komisionit dhe të nisim me punë”, thotë Goran Tërpenovski, një nga katër anëtarët e komisionit.

Për zgjedhjen e njërit prej dy kandidatëve, apo të ndonjë anëtari plotësues do të diskutohet deri të martën, apo një ditë para takimit të së mërkurës të liderëve partiakë.

Në këtë takim ata duhet të vlerësojnë nëse janë përmbushur ose jo të gjitha kriteret e marrëveshjes politike. Vlerësimet e deritashme kanë qenë kryesisht pozitive, por çështja e komisionit ad-hoc ka ndërlikuar procesin, që sipas njohësve të çështjeve politike, nëse nuk zgjidhet, mund të krijojë situata të pavolitshme, por jo edhe të bllokojë procesin.

“Unë mendoj se çështja e anëtarit të pestë do të kapërcehet, edhe pse realisht ajo nuk është çështje kyçe. Për mua, çështje kyçe janë dy segmente, prandaj vlerësoj se duhen dy heronj, të cilët do të duhet të thonë PO. Heroi i parë i takon taborit shqiptar, i cili duhet të thotë PO, përkundër fshirjes së 30 mijë votuesve shqiptarë”.

“Heroi i dytë i takon palës maqedonase, i cili pavarësisht realitetit që mediet ushtrojnë një fushatë të kriminalizuar, duhet të thotë se këtë do ta amortizojë një institucion i ri, edhe pse nuk është e mundshme të bëhet”, thotë Mersel Bilalli, analist dhe profesor i sistemit politik në Universitetin Fon të Shkupit.

Partitë politike deri tani kanë arritur të kapërcejnë çështjen e listës zgjedhore, edhe pse nuk kanë të ndalur kritikat për fshirjen e rreth 30 mijë shtetasve nga lista e votuesve.

Marrëveshje është arritur edhe për formën e funksionimit të Qeverisë kalimtare, në veçanti për kompetencat e ministrit të Punëve të Brendshme, që në bazë të marrëveshjes duhet të drejtohet nga kuadër i LSDM-së opozitare.

Ndërkohë nga procedura parlamentare është tërhequr edhe Ligji për reklamim nga ana e Qeverisë, ndërsa janë përcaktuar edhe kriteret që garantojnë funksionimin e punës së Prokurorisë speciale në Maqedoni.

Analisti Mersel Bilalli thotë se të gjitha çështjet të diskutuara nga partitë lënë hapësirë për të besuar se kësaj radhe mund të ketë zgjedhje, megjithëse, sipas tij, sërish ka hapësirë për të dyshuar, kjo bazuar në taktizimet e deritashme të partive.

“Shanset janë të mëdha që këto zgjedhje të mos shtyhen. Unë mendoj se në këtë proces një kontribut të konsiderueshëm do ta japë edhe bashkësia ndërkombëtare për të krijuar një ambient me kushte minimale për mbajtjen e zgjedhjeve, megjithëse nuk e kisha thënë me një garanci të plotë. Sërish e lë një hapësirë prej 20 për qind për shtyrjen e mundshme të zgjedhjeve”, vlerëson Bilalli.

Që nga paraqitja e krizës së thellë politike në shkurt të vitit të kaluar me publikimin e asaj që njihet si aferë e përgjimeve, partitë dy herë kanë caktuar datën e zgjedhjeve, më 24 prill dhe më 5 qershor, por mbajtja e tyre ka dështuar, për shkak të përplasjes së partive për kushtet e mbajtjes së zgjedhjeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat