Komisioni ‘ad hoc’ për monitorimin e medieve nuk zgjidh problemet

Maqedonia

Komisioni ‘ad hoc’ për monitorimin e medieve nuk zgjidh problemet

Më: 22 gusht 2016 Në ora: 16:19
Ilustrim

Komisioni pesë anëtarësh për kontrollin e raportimit të medieve në Maqedoni, gjatë periudhës tre mujore para zgjedhjeve, duhet të zyrtarizohet të martën me zgjedhjen edhe të anëtarit të pestë, pasi katër anëtarë të tjerë tanimë janë zgjedhur; dy të propozuar nga partitë në pushtet dhe dy nga opozita.

Formimi i këtij komisioni ‘ad-hoc’ është pjesë e marrëveshjes mes partive për zgjidhjen e krizës politike, në veçanti për rregullimin e punës së medieve, që janë objekt i kritikave të shumta për mungesë të pavarësisë dhe informimit në bazë të interesave partiake.

Por, formimi i komisionit nuk shihet si zgjidhje përfundimtare për reformat në media. Zhane Tërpeska nga Instituti Maqedonas i Medieve, thotë se ky trup është vetëm se një përpjekje për rregullimin e kësaj sfere, por që nuk do të ketë efektin që pritet nga opinioni më i gjerë në vend.

“Formimi i komisionit ‘ad-hoc’ është vetëm se një përpjekje për përmirësimin e problemit me partizimin e agjencisë se medieve. Në fakt, kjo agjenci duhet të jetë ai organ, i cili në bazë të ligji do të përcillte raportimin e medieve gjatë procesit zgjedhor. Bëhet fjalë për një zgjidhje të përkohshme e cila nuk mund të ofrojë ndryshime thelbësore, pasi problemi kryesor tek ne është fakti se shumica e medieve me ndikim janë të njëanshme, apo informojnë në favor të partive në pushtet. Qytetarët duhet të informohen drejt për të gjitha zhvillimet dhe komisioni ad-hoc nuk mund të bëjëasgjë në përmirësimin e gjendjes”,thotë Zhane Tërpeska.

Në bazë të marrëveshjes politike, komisioni paraqet vërejtje lidhur me raportimin e medieve, por nuk merr masa, pasi kjo e drejtë i mbetet agjencisë së medieve, e cila vendos në bazë të raportit të komisionit ‘ad-hoc’.

“Veç kësaj, përbërja e komisionit është e atillë sa që është e vështirë të ketë konsensus lidhur me masat që mund të propozohen. Por, edhe sikur të ketë masa askush nuk garanton se ato mund të pranohen nga agjencia ku drejtori ka kompetenca të gjëra. Ai në bazë të ndryshimeve të bëra është i obliguar të merr në konsideratë vërejtjet, por se a do të ndodhë kjo është vështirë të parashikohet”, thotë Tërpeska.

Edhe Xhelal Neziri, nga Qendra për Gazetari Hulumtuese dhe njohës i çështjeve politike, nuk pret që ky komision të jetë në krye të detyrës në kontrollin e punës së medieve. Ai këtë e bazon në përbërjen e komisionit nga përfaqësues të partive politike.

“Vet përbërja e komisionit ‘ad-hoc’ është e atillë që do të prodhojë vetëm konflikte. Nuk besoj se personat e deleguar në atë komision, pra dy nga opozita dhe dy nga pushteti dhe një anëtar shqiptar, i cili për momentin nuk dihet se kush është, do të arrijnë që të merren vesh për kornizën apo platformën mbi të cilën do të punojnë. Pra, edhe aty do të kemi politikë, do të kemi interesa partiake gjë që do të komplikojnë ndoshta edhe më shumë situatën”, thotë Neziri.

Ai vlerëson se reformat në media mund të arrihen vetëm me depolitizimin e organeve që kontrollojnë mediet, apo në vendosjen e kuadrit profesionist në agjencinë e medieve.

“Reforma e vërtetë do të ndodhë nëse ata trupa rregullator do të reformoheshin me zëvendësimin e anëtarëve të tyre me anëtarë profesionistë, të cilët do të zgjidheshin nga ana e Kuvendit me propozim të organizatave profesioniste të medieve”, thotë Neziri.

Nevoja për reforma në media erdhi në shprehje pas publikimit të asaj që njihet siaferë e përgjimeve, në shkurt të vitit të kaluar, ku nga bisedat e përgjuara telefonike mes zyrtarëve të lartë dhe drejtuesve të medieve dëgjohen kurdisje të raportimeve të ndryshme për diskreditimin e personaliteteve të ndryshme në favor të politikave të pushtetit, por edhe raste tjera të ndërhyrjes së politikës në pavarësinë e medieve. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat