Për ekspozitën çmimi “Muslim Mulliqi”

Art

Për ekspozitën çmimi “Muslim Mulliqi”

Nga: Ilir Muharremi Më: 17 gusht 2016 Në ora: 22:07
Ilir Muharremi

“Arti konceptual nuk nënkupton reduktimin e veprës në një ide, por vetë “idenë” e artit, konceptin e artit”, shkruan Catherine Millet. Këtu aspak nuk bëhet fjalë për krijim të ri formash, artesh siç  e bënin dikur Kubizimi, Arti abstrakt, Pop Arti. Ata modifikuan mënyrën tonë të të parit, përmes sistemeve të galerive dhe muzeve . Konceptualistët kërkojnë të kundërtën: vështrimin e fenomenit artistik në mënyrë të re. Kjo nuk qe kaq e lehtë, kur mendojmë se sot nuk ka asgjë të parekuperushme nga opinioni. P.sh vepra e artistit Dyshamp “Ready-made”, për të cilën autori mendonte se ishte krejt neutrale, asaj i ngarkohen lloj-lloj spekulimesh. Artisti nuk mund të krijon art neutral, mund ta ribëjë botën për llogari të veten.  Atëherë, çfarë shikuam në edicionin e 11-të të Ekspozitës Ndërkombëtare çmimi “Muslim Mulliqi”, e cila u organizua në Galerinë e Kombëtare të Arteve në Prishtinë? Motoja e saj ishte “Talking about”, e kuruar nga drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë Artan Shabani.

    Sipas kuratorit, kjo ekspozitë ka për qëllim ti vejë pikëpyetje disa aspekteve të artit bashkëkohor. Përse ekspozita nuk orientohet të paraqesë një qëndrim përfundimtar dhe a dhanë përgjigje artistët pyetjes së njohur të Liam Gilick se “cili është imazhi i bashkëkohores sot?” A përçoj emocion estetik si qëllim kryesor që ka çdo veprimtari artistike? Imazhi i bashkëkohores vërehet në tërë botën, por nuk dihet saktë për artin e së ardhmes. Kjo ekspozitë nuk kishte teknologji të reja, por të përsëritura (shabllone, video, instalacione, mbishkrime me gabime drejtshkrimore...) dhe nuk qenë pjellë e operacioneve mendore dhe psikike, të cilat artin e bëjnë më të ndjeshëm. (ndjenja as që denoncohej.)

      Në fakt ne jemi në epokën e postmodernizmit për të kaluar te Performatizimi, të cilat kundërshtojnë modernizmin, botën e enciklopedisë, materializmit, historisë. A mos vallë substanca shpirtërore po përmbyset dhe piktura është e paaftë për ta shprehur? Sepse në ekspozitë dominojnë: videot dhe instilacionet. Kryesisht kati i dytë i Galerisë qe i pushtuar me video. Kështu, në këtë ekspozitë thuajse kishte pak piktura. Nuk e dijë pse arti i pikturës përbuzët aq shumë? Ose skulptura të mirëfilltë e jo animacion fëmijëror. Novacioni i madh i kësaj ekspozite adresohet tek syri dhe veshi. Vizitori pajiset me një palë kufje, dëgjon zëra jo të qartë sepse ndryshojnë automatikisht. Tekstet janë nga vetë autorët dhe arti vije shumë i kufizuar.

     U prezantuan njëzet e shtatë artistë: Fidan Bejtullahu, Luca Bolognesi, Erik Bunger, Kajsa Dahlberg, Marco Fantini, Regina Jose Galindo, Dora Garcia, Khaled Hafez, Driton Hajredini, Pablo Helguera, Eliza Hoxha, Ardian Isufi, Ilir Kaso, Luljeta Leci, Ilir Lluka, Edson Luli, Ra di Martino, Bruno Muzzolini, Alkan Nallbani, Ferhat Ozgur, Steve Piccolo, Helona Ruli, Helidon Xhixha, Shingo Yoshida, Kushtrim Zeqiri, Fani Zguro dhe Ergyz Zhabjaku. Juria e përbërë nga Krenar Zejno, Boris Brolo dhe Eqrem Basha vendosi t’ja jap çmimin artistit Fani Zguro me veprën: “Vepra të hershme”. Është një triptik, klithje nga fëmijëria përmes vizatimeve (naive) me ligjet e rastësisë në planin e dytë, me figura labile, lirizëm, portrete historike (historikja nuk i shkon bashkëkohores, konceptualës, postmodernës...), figurat njerëzore të cilat autori përpiqet të duken sikur janë të nxjerra nga jologjika, por janë të qëllimshme dhe pozojnë në formë patetike. Triptiku nuk shpalos ndonjë volum të jashtëzakonshëm (flitet për veprën fituese), por një prezantim të një të rrituri që dëshiron të pikturojë si fëmijë. Kjo më ngjan me Piccason dhe  ky art është shfrytëzuar. (në aspektin kur pikturohet, vizatohet si fëmija dhe prezantohet, diçka e ekspozuar më parë.) “Kur isha fëmijë, dëshiroja të pikturoja si të rriturit. Tani kur jam rritur, e madje, edhe moshuar, dëshiroj të pikturoj  si fëmijë”, shkruante Picasso. Veshja e veprës me fëmijëri, nxjerrë pamatësi lirie dhe guximi vërshohet, artistët tonë nuk janë neutral, por kombinojnë. Të jesh origjinal, duhet të nisesh drejt instinkteve të tua, natyrës dhe aktuales. “Bota mund të konsiderohet si vepër arti që gjeneron vetveten”, shkruan Nietzsche. Artisti, veçanërisht Picasso-ja e shihte lojën, por është gjë e padobishme, mirëpo ideal i njeriut i ngarkuar me forcë fëmijërore, sepse ka sinqeritet (elementi kryesor i artit), dhe artisti Zguro më shumë na del si logjikë se si artistë fëmijëror i sinqertë. Radhitja e teksteve, shprehë atë potencën e një njeriu të rritur i cili mendon në art. (arti i sinqertë del edhe pamendueshëm nga ndjenja, ëndrra ekstaza dhe gjendja e dehjes.) Qëndron një kontrast tek ëndrra dhe dehja, të dyja tok ngacmojnë forcën artistike. Artisti nuk e fton në reflektim shikuesin, por e shtyn të mendojë për kombinimin. Nuk ka aluzione psikologjike dhe filozofike me referime, i mungojnë citacionet edhe pse ato dalin si fjali në planin e parë të veprës.

     “Kur artistët si Hans Haacke, Steve McQueen apo Marurizio Cattelan janë në prag të refuzimit për të qenë pjesë e epokës, atëherë kuptojmë që epoka po ndryshon”, shkruan kuratori i ekspozitës  Shabani. E kur artistët e kësaj ekspozite të sjellin: revoltë, ndjenjë personale, qëllime estetike, ngacmim tërheqje si fizike ashtu shpirtërore (fjala për veprat), pavarësisht  teknikave shprehëse (pa mënjanim të pikturës), dehje, ëndrra, gjenerim të botës.... do ta mbushin sallën e Galerisë me shikues, sepse në natën e hapjes mungonin artdashësit të cilët nuk prisnin asgjë tërheqëse.

       Galeristja italiane sintetizon se asnjë artist nuk ka mundur të bëjë të njëjtën aftësi të jashtëzakonshme për të kombinuar referimet historike dhe magmën e materies, arrogancën e modernes dhe ngulmimin e arkaikes, imazhet e ngritjes shpirtërore dhe rënies e shkatërrimit të qenies njerëzore. Artisti më mirë i bije të vrapoj drejt qëllimeve estetike. E kur vazhdon kuratori se kjo epokë ka nevojë për “heronj” të rinj, qëndrime të reja. Cilët heronj? Ata që janë të një shtegu, një drejtimi, një ngjyre. Ata as që mund të futen tek artistët konceptual botëror e lë më të shpërfaqin qëndrime të reja. Pastaj, ky projekt siç  theksohet nga kuratori është eksperiment në kurim (pas 11 edicioneve ende mbetet  eksperiment kurimi) që ka për qëllim të vë në pikëpyetje disa aspekte të artit bashkëkohor për të nxitur një dialog në diskutim në vend që të paraqesë një qëndrim përfundimtar. Për cilin art bashkëkohor flet kuratori kur përmendet më lartë se jemi në Postmodernizëm tendencë në Përformatizëm, sepse jemi pjesë virtuale e Evropës.

      A jemi kopjues të arteve në botë? Natyrisht se po, nëse nuk jemi nga këmbët deri te koka, jemi kombinues, pastaj krijues. Në vend se të krijomë diçka nga vetja, vendi jonë, ne fluturojmë nga karrigia drejt kuptimeve të panjohura. Nuk po them se arti jonë të mbetet tepër shqiptar dhe të krijojmë kompleks ndaj vendit, por të luftojnë të depërtojmë drejt instinkteve tona personale njerëzore. Ka shumë artistë letrarë gjermanë si tepër gjermanë e të vegjël në botë, krijojnë art për popull, arti tejkalon popullin. Artistët tonë duhet ta kërkojnë shtegun e shpëtimit, jo të plagjiaturës dhe kopjimit, por artist-filozof. Mjerisht artit tonë i mungon kjo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat