Për universitetin “Nënë Tereza” reagojnë edhe partitë jashtëparlamentare

Maqedonia

Për universitetin “Nënë Tereza” reagojnë edhe partitë jashtëparlamentare

Më: 17 gusht 2016 Në ora: 17:03
Nena Tereza

Premtimi për hapjen e Universitetit tre gjuhësh “Nënë Tereza” dhe për fillimin e funksionimit të saj, pikërisht në muajin shtator mbetet ende nën hije.

Ish ministri i arsimit  Abdilaqim Ademi premtoi se do të themelohet një Universitet, “Nënë Tereza, të njëjtën e përsëriti edhe ministri i tanishëm i arsimit, Pishtar Lutfiu. Tani jemi në prag të shtatorit dhe gjurmët “Nënë Terezës” nuk hasen askund.

Nga Lëvizja Besa thonë që premtimi i parealizuar i partisë në pushtet, për këtë Universitet nuk është diçka e papritur e as befasuese për to. Ata madje thonë se, kjo e konstaton faktin se, për ato nuk është plan parësor, ngritja e arsimit të lartë.

“Lajmi se në Universitetin ‘Nënë Tereza’ në Shkup nuk është hapur konkurs për pranimin e studentëve, për neve si Lëvizja Besa nuk përbën kurrë farë befasie. Prej një partie, ku lideri i tyre e takon fshehurazi popullin dhe frikësohet të ballafaqohet nga qytetarët. Një parti ku aktivistët e tyre vriten për shkak të tenderëve, është iluzore dhe utopike që ata të merren me një çështje kaq të rëndësishme, siç është arsimi i lartë shqiptarëve”, ka deklaruar për TV Shenja, zëdhënësi i Besa, Faton Fazliu.

Nga LR-PDSH thonë se përderisa nuk ndahet buxhet nga shteti dhe nuk fillohet të punohet për të, sigurisht që premtimi i ministrave të arsimit nuk mund të konsiderohet serioz.

“Themelimi i Universitetit të ri që në fillim dukej si një premtim joserioz, për shkak se për këtë nuk ishte ndarë as Buxhet për vitin 2016, ndërsa nuk qëndronte as në programin qeverisës dhe as në programin politik të BDI-së. Ishte një premtim si pasojë e politikës ditore, që kishte për qëllim zhvendosjen e vëmendjes, dhe kjo do t’i kushtojë shtrenjtë BDI-së”, kanë thënë nga LR-PDSH.

Sipas Partisë Uniteti, hapja e këtij Universiteti konsiderohet vetëm si një mashtrim i radhës nga ana BDI.

“Themelimi i Universitetit tri gjuhësh Nëna Tereza, ishte një manovër propagandistike për të cilën ne si Uniteti kishim paralajmëruar me kohë, duke u bazuar edhe me rebalancin e buxhetit ku nuk parashihen mjete për fillimin me punë të tij. Edhe pse në parim ne jemi pro themelimit të institucioneve publike, mësimor-shkencor në gjuhën shqipe, edhe atë në Shkup, por jo për qëllime të politizimit dhe rehabilitimit të figurave të dështuara politike të BDI”, kanë reaguar nga partia “Uniteti”.

Disa muaj pas propozimit të themelimit të Universitetit shqiptar “Nënë Tereza”, u propozua hapja edhe e një Universiteti tjetër, “Damjan Gruev”.  Për këtë të fundit, menjëherë pas propozimit, filloi realizimi i tij. Pra nga buxheti i shtetit u ndanë afro 6 milion euro dhe funksionimi i saj do të filloj nga shtatori i këtij viti.

“Ata që e kishin me gjithë mend hapjen e Universitetit të ri, “Damjan Gruev”, e shikuam se si vepruan, i ndanë pa problem 6 milion euro, në këtë kohë krize”, janë shprehur më tej nga LR-PDSH.

Ndërsa, se sa serioze janë premtimet e partisë në pushtet mbetet të shihet. “Nënë Tereza” do të themelohet të paktën në “shtatorin” e ardhshëm, apo do të mbetet thjesht premtim i parealizuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat