Zbulohet ministri i BDI-së, fajtor për votuesit e kontestuar shqiptarë

Maqedonia

Zbulohet ministri i BDI-së, fajtor për votuesit e kontestuar shqiptarë

Më: 5 gusht 2016 Në ora: 20:57
Lista

Shkaku që një numër i madh i qytetarëve gjenden në Listën e kontestuar nuk është as LSDM-ja, as VMRO-DPMNE-ja, por Drejtoria për udhëheqjen e librave amë, e cila është në kuadër të Ministrisë së drejtësisë. Kjo ministri udhëhiqet nga kuadri i BDI-së, Valdet Xhaferi, kurse më herët nga Adnan Jashari, poashtu i BDI-së.

Këtë e kanë konfirmuar edhe nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) me çka afera me votuesit e kontestuar po merr një dimension të ri. Gjendja e shumë qytetarëve në këtë listë, ku rreth 80 për qind janë shqiptarë, po u jep bazë dyshimeve se tendenca gjatë përpilimit të listës së kontestuar ka qenë që në të përfshihen shqiptarë që kundërshtojnë politikat e VMRO-DPMNE-së, politika të cilat me përkushtim dhe pa asnjë vërejtje serioze po i përkrah BDI-ja tani e tetë vite.

Komisioni shtetëror i zgjedhjeve sqaron për çdo person veç e veç, pse është gjendur në listën e votuesve të dyshuar. Nga ky institucion njoftojnë se prej sot, në listën e votuesve të kontestuar, gjendet edhe arsyeja, sipas të cilës, të dhënat e votuesit kanë rezultuar të dyshimta. “Për një transparencë më të madhe të procesit, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në uebin e saj tashmë, bashkë me emrat e qytetarëve që ndodhen në këtë listë, i ka publikuar edhe arsyet sipas të cilave janë gjendur në këtë listë. Numrin më të madh të paraqitjeve i kemi në komunat Çair, Aerodrom, Qendër, Gostivar, Tetovë dhe Kërçovë”, tha Ljupka Guguçevska, zëdhënëse e KSHZ-së. Sipas të dhënave, pjesa më e madhe ose rreth 18 mijë votues, nga gjithsej 39 mijë votuesit në listë, kanë rezultuar të dyshimtë sepse nuk figurojnë në asnjërën nga bazat e dhënave të institucioneve shtetërore.

Arsyeja e dytë është se drejtoria për udhëheqje me numrat amë, nuk ka dhënë në kohë regjistrin më të dhënat e plota në KSHZ kurse mospasja e një sistemi të adresave nëpër vendbanimet rurale, sipas KSHZ-së, është një tjetër komplikim po kaq i madh për të dhënat në listën zgjedhore. Nga KSHZ-ja thonë se përmes formës elektronike dhe fushatave mediatike, këtyre votuesve ju kanë dërguar edhe telegrame personale në adresat e tyre zyrtare kurse ka disa ditë që edhe partitë janë aktive në terren, për të nxitur votuesit të paraqiten. 19 gushti është afati i fundit për paraqitje kurse më pas ka një hapësirë 10 ditore për ankesa dhe shqyrtime.

Sipas kryetarit të KSHZ-së Aleksandar Çiçakovski, 30 gushti duhet të përfshijë mbylljen e këtij procesi, që një ditë më pas, partitë të vendosin nëse ka kushte për zgjedhje më 11 dhjetor. Votuesit që ndodhen në listën e të kontestuarve dhe që nuk paraqiten në KSHZ deri në 19 gusht, kanë edhe një mundësi tjetër për t’u paraqitur gjatë inspektimin publik para zgjedhjeve parlamentare.

Sa i takon mos-ndarjes proporcionale të votuesve nëpër gjashtë njësitë zgjedhore në Maqedoni, Çiçakovski tha se është për inicimin e ndryshimeve, duke ju drejtuar Ministrisë së drejtësisë dhe Kuvendit. Kreu i KSHZ-së gjithashtu njoftoi se ky institucion është duke përgatitur terrenin që të marrë përgjithmonë përsipër kompetencat për të udhëhequr me listën e zgjedhësve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat