Ministrja e parë: Skocia nuk kërkon largimin nga BE-ja

Evropë

Ministrja e parë: Skocia nuk kërkon largimin nga BE-ja

Më: 29 qershor 2016 Në ora: 18:20
Nicola Sturgeon dhe presidenti i Komisionit Juncker

“Skocia nuk dëshiron që të largohet nga Bashkimi Evropian”, ka qenë kjo deklarata e ministres së parë skoceze, Nicola Sturgeon, e cila theksoi se vendi i saj kërkon të mbrojë marrëdhëniet me BE-në.

Ajo zhvilloi disa takime në Bruksel, me përfaqësues të lartë të unionit. Mbi këtë çështje ka reaguar edhe presidenti i Komisionit Juncker, i cili u shpreh se do të dëgjojë propozimet e Skocisë, por nënvizoi se nuk ka dëshirë që të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Britanisë.

Pavarësisht votimit pro-daljes nga BE-ja nga qytetarët Britanikë, ministrja e Parë e Skocisë, Nicola Sturgeon, ka deklaruar se vendi i saj nuk dëshiron që të largohet nga Bashkimi Evropian. Gjatë një takimi të mbajtur me Presidentin e Parlamentit Europian, Martin Schuls, ajo nënvizoi se Skocia mbështet idenë e ruajtjes së marrëdhënieve me BE-në.

“Jeni ende në fazat e para të këtij procesi, por më duhet t’a them qartësisht se Skocia ka dëshirë që të ruajë marrëdhënien e krijuar me Bashkimin Europian. Është e vërtetë se kemi përpara sfida të vështira në këtë rrugë që po provojmë të ndjekim dhe ky është takimi i parë i një serie mbledhjesh që kam planifikuar në Bruksel. Ndryshe, nga pjesët e tjera përbërëse të BE-së, Skocia nuk dëshiron që të largohet nga unioni”, ishin fjalët e ministres së parë.

Mbi këtë çështje u prononcua edhe presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, i cili tha se Skocia e ka fituar të drejtën që të dëgjohet në Brusel. Megjithatë, ai shtoi se BE-ja nuk ka në plan që të futet në çështjet e brendshme të Britanisë.

Ndryshe nga pjesa më e madhe e Britanisë, 62 përqind e qytetarëve të Skocisë mbështetën idenë e qëndrimit brenda Bashkimit Evropian, ndërkohë që vetëm 38 përqind prej tyre u shprehën pro daljes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat