Plepolli: Fuqitë e mëdha i shoh më afër finales

Futboll

Plepolli: Fuqitë e mëdha i shoh më afër finales

Nga: Kemajl Goca Më: 24 qershor 2016 Në ora: 10:51
Arsim Plepolli

Pas përfundimit të fazës së grupeve, tani fillon faza e garave të nokautit në Euro 2016 dhe që do të sjell emocione të mëdha. 16 kombëtare të kualifikuara, Gjermania, Italia, Spanja, Franca, Anglia, Zvicra, Uellsi, Republika e Irlandës, Irlanda Veriore, Kroacia Portugalia, Sllovakia, Belgjika, Islanda, Hungaria dhe Polonia, synojnë që të jenë sa më lart në këtë garë të madhe. Njohësit e futbollit parashikojnë befasi si gjithmonë, por si favoritë për ta fituar garën e shohin Gjermaninë, Spanjën, Italinë, Francën, Anglinë, Kroacinë, por edhe ndonjë kombëtare nga plani i dytë. Deri më tash ka pasur mjaft befasi sidomos kualifikimi i Islandës, Irlandës Veriore, Hungarisë, Republikës së Irlandës, gjithsesi edhe i Uellsit. Ish-futbollisti i mirënjohur, Arsim Plepolli, tha për gazetën kombëtare “Bota sot” se deri më tash ka pasur lojëra të mira dhe befasi. “Gjithmonë ka befasi dhe deri më tash po luhen lojëra të mira, të cilat po kënaqin shikuesit. Më ka befasuar Islanda, e cila u kualifikua, pastaj Hungaria. Kam pritur më shumë nga Portugalia, duke shikuar edhe gjendjen e lojtarëve që ka. Kroatët mendoj se kanë treguar lojëra më të mira deri më tash. Ata në çdo repart kanë lojtarë cilësor, duke pasur parasysh se luajnë në ligat më të mëdha, si për shembull në Champions League. Personalisht kisha pasur dëshirë Kroacia me fituar Kampionatin Evropian”, thotë Plepolli. Ai më tutje ka nënvizuar se fuqitë e mëdha, pra katër kombëtare do të jenë si konkurrent kryesor për ta fituar evropianin. “Ndër favoritët kryesor e shoh Kroacinë, pastaj varet dueli mes Spanjës dhe Italisë, të cilat do të ndeshen mes vete në të tetën e finales. Prandaj, kush fiton Italia apo Spanja, do të jenë në finale apo kandidatë për ta fituar titullin. Gjermanët dhe anglezët nuk bënë më i anashkaluar, ndërsa në të tetën e finales do të rrëzohet Spanja ose Italia. Këtë katërshe, si Anglinë, Gjermaninë, Kroacinë, Spanjën ose Italinë i shoh për titull”, tha ai. Plepolli thotë se Shqipëria me pak fat ka mundur të jetë edhe më lart në evropian. “Duke anashkaluar lojën e parë me Zvicrën që kanë pasur presion të madh, duhet me pranuar se aq e kemi kaçikun, me pak fat kemi mundur me kaluar grupin. Djemtë e kanë dhënë maksimumin, nuk duhet më ia zënë për të madhe, duhet me u gëzuar që kanë arritur deri këtu”, ka thënë Plepolli, por nuk beson se do të ketë ndonjë befasi të madhe në vazhdim të fazës eliminuese. “Nuk besoj se mund të ketë befasi të mëdha, e përmenda më lart katërshen e madhe për finale. Pak më vështirë do ta ketë Kroacia me Portugalinë. Kroacia besoj se do ta diskualifikoi Portugalinë. Befasi mund të ketë si gjithmonë, sepse kush kishte thënë që Islanda e Hungaria e kalojnë grupin”, thotë Plepolli. Të shtunën (nesër, 25 qershor) do të fillojë faza eliminuese, ku në ditën e parë do të ballafaqon Zvicra-Polonia (15.00), Uellsi-Irlanda Veriore (18.00) e Kroacia-Portugalia (21.00).

Lista e shënuesve 
Bale (Uellsi 3
Morata (Spanja) 3
Dzsudzsak (Hungaria) 2
Lukaku (Belgjika) 2
Nani (Portugalia) 2
Payet (Franca) 2
Perishiç (Kroacia) 2
Ronaldo (Portugalia) 2
Stancu (Rumania) 2
Berezutski (Russia) 1

Orari i ndeshjeve

Me 25 qershor
Zvicra-Polonia (15.00)
Uellsi-Irlanda Veriore (18.00)
Kroacia-Portugalia (21.00)

Me 26 qershor
Franca-Irlanda (15.00)
Gjermania-Sllovakia (18.00)
Hungaria-Belgjika (21.00)

Me 27 qershor
Italia-Spanja (18.00)
Anglia-Islanda (21.00)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat