Gratë e Kosovës dhe Italisë me mundësi bashkëpunimi në biznese

Ekonomi

Gratë e Kosovës dhe Italisë me mundësi bashkëpunimi në biznese

Më: 15 qershor 2016 Në ora: 17:41
Ilustrim

Ambasada e Italisë ka sjellë një shoqatë të sipermarresve italiane në Kosovë, në mënyrë që të hapen mundësitë për një bashkëpunim të ngushtë mes të dy vendeve.

Në hapësirat e ambasadës, u mblodhën sot gra që drejtojnë biznese të ndryshme në Kosovë, ku shkëmbyen përvoja dhe diskutuan për bizneset që ato u përkasin. Gjithashtu, mysafirët nga Italia, patën mundësinë të tregojnë për mënyrën e të bërit biznes në Itali.

Ambasadori Italian në Kosovë, Andreas Ferrarese u shpreh i bindur se edhe gratë do të mund të arrijnë në biznes njëjtë sikur ato në Itali.

Ferrarese: në të ardhmen në Kosovë gratë në ekonomi do të kenë një rol të rëndësishëm

“Jam I bindur se, ashtu si në Itali ku gratë po marrin një vend çdo herë e më të rëndësishëm në jetë politike, ekonomike e sociale të vendit, jam I bindur se edhe për të ardhmen e Kosovës gratë do të kenë një rol në rritje dhe të rol të rëndësishëm. Gratë si sipërmarrëse janë më praktike se burrat. Filozofojnë më pak dhe nuk humben në teori, janë më konkrete, dhe kanë shpesh kapacitetin për të marrë vendime me kurajo”, tha Ferrarese.

Ai u shpreh i sigurt se takimi i sotëm do t’i ndihmojë ato që të dalin me ide interesante për zhvillimin e bizneseve të tyre.

Ndërsa Franca Audisio, nga shoqata e sipermarresve italiane, tregojë historinë e themelimit, dhe mënyrën se si funksionin shoqata Aida, të cilën ajo përfaqëson.

Audisio: Jemi krenarë për punën tonë

“Ka disa karakteristika për të qenë ortak në Aida. Kemi disa realitete të vogla pune, sic kemi edhe realitete të mëdha, për të cilat jemi shumë krenarë….”, tha ajo.

E Majlinda Mazelliu, nga “Gratë në Biznes” në Kosovë, tregoi për sfidat me të cilat përballet një femër këtu, e cila nisë një biznes të sajin.

Gjithashtu, ajo i njoftoi koleget italiane për gjërat tradicionale në Kosovë, të cilat siç tha ajo, janë shndërruar në biznese nga gratë.

Mazelliu: Gatimin tradicional gratë e kanë kthyer në biznes

“Kemi gra të cilat gatimin tradicional, i cili është shumë i shijshëm, e kanë kthyer në biznes. Është pikërisht ai vizioni dhe inovacioni që përmenden parafolëset më herët që gratë tona prej asgjëje, prej gatimit tonë të shijshëm të gjysheve tona, arritën të bëjnë biznes dhe këtë biznes ta tregtojnë jo vetëm në amvisërinë kosovare por edhe më gjerë. Ato sot gatimin e kanë kthyer në një biznes dhe shesin edhe në shumë ambasada dhe institucione të Kosovës”, tha Mazelliu.

Ajo tregoi se fillimisht femrat në Kosovë që kanë nisë të mirren me biznes, janë përballur me mungesë të financave, dhe me mungesë të besimit nga familja, shoqëria dhe bota afariste.

Mirëpo siç tha ajo, gratë në Kosovë nuk janë ndalur, kanë vazhduar të zhvillojnë bizneset e tyre, derisa disa prej tyre tashmë edhe janë të gatshme të eksportojnë.

Drejtuese të shoqatave të bizneseve ndryshme në Kosovë, në këtë takim të organizuar nga ambasada e Italisë në Kosovë, me shoqatën e sipermarresve italiane, patën mundësinë të flasin për organizatat e tyre, në mënyrë që të gjenden mënyra bashkëpunimi mes të dy vendeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat