Gjakovë: Ulje të shpenzimeve ndërsa shërbime efikase në të mirë të qytetarëve

Gjakova

Gjakovë: Ulje të shpenzimeve ndërsa shërbime efikase në të mirë të qytetarëve

Më: 5 qershor 2016 Në ora: 18:04
Pamje nga mbledhja

Kuvendi i Komunës së Gjakovës ka mbajtur sot mbledhjen e pestë, ku ndër pikat kryesore ka qenë informata periodike financiare për periudhën janar-mars të këtij viti, të cilin e prezantoi Teki Shala, drejtor i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa.

Sipas kësaj informate dhe pohimeve të drejtorit Teki Shala, vërehet një trend pozitiv tek të hyrat vetjake dhe shpenzimet, ndërkohë që vërehet një ulje e tyre në karburante, etj, si dhe rritje që ndërlidhen direkt me përfitim të qytetarëve. “Për vitin 2016 buxheti komunal i planifikuar është në shumë prej 20.126.086.65 euro. 

Nga kjo shumë, 6.249.553.22 euro janë alokuar, ndërkohë që janë shpenzuar 4.597.282.61 euro” ka pohuar drejtori Teki Shala, për të bërë të ditur më pas se nga grandi qeveritar janë pranuar 5.731.777.76 euro, ndërkaq prej të hyrave vetjake janë pranuar mjete në shumë prej 287.670.81 euro, kurse prej donacioneve janë pranuar 230.104.65 euro.

Prej shumës së planifikuar të të hyrave vetjake në shumë prej 747.650.00 euro, në këtë periudhë kohore janë inkasuar mjete në shumë prej 594.786.24 euro. Kur potencohet raporti i shpenzimeve, rezulton se prej 6.249.553.22 euro të alokuara, janë shpenzuar 4.597.282 euro. Duke ndaluar tek këto shpenzime, drejtori Teki Shala ka sqaruar se rritja e shpenzimeve operative, sidomos në kategorinë e mallrave dhe të shërbimeve janë për shkak të ndërrimit të kodeve të shpenzimeve, siç janë mirëmbajtja dimërore dhe verore e rrugëve, menaxhimi i mbeturinave, mirëmbajtja e parqeve, si dhe rritja e shpenzimeve për ndriçim publik.

Prej shpenzimeve të përgjithshme në këtë periudhë tremujore kohore rritje kanë bërë shërbimet për transport të nxënësve, telefoni mobile (borxhi i vitit 2015 dhe heqja nga përdorimi i telefonisë fikse), shërbimet postare, shërbimet kontraktuese, furnizimi i zyrave, si dhe mirëmbajtja e objekteve të ndryshme. Ndërkaq, ulje të shpenzimeve ka në karburante për automjete dhe dreka zyrtare. Sipas raportit të prezantuar nga drejtori Teki Shala, shpenzimet kapitale për tre muajt e parë të këtij viti kanë qenë në shumë prej 705.084.98 euro.

Sqarime shtesë në lidhje me këtë temë janë dhënë edhe nga kryetarja Mimoza Kusari Lila. ”Trendi i shpenzimeve ka rënie dhe kjo mund të shihet çdo ditë në pjesën e shpenzimeve të portalit të Gjakovës, ku çdo faturë nga paraja publike bëhet transparente. 

Ndërkaq, përsa i përket shpenzimeve për mallra dhe shërbime që nga viti 2014 ka rënie”, ka thënë Kusari – Lila, e cila gjithashtu ka dhënë shpjegime edhe lidhur me ecuritë e projektit për ujësjellësin në disa fshatra të komunës së Gjakovës. “Punimet janë duke vazhduar në Dushkajë, ndërsa në Rekë të Mirë është duke u ndërtuar ujëmbledhësi. Derisa për ujësjellësin në Rekë të Keqe, pas kontestimeve që kemi pasur me Komunën e Junikut jemi duke ndërruar vendin e burimit të ujit që është në Babaj të Bokës” ka sqaruar ndër tjerash kryetarja Mimoza Kusari Lila, e cila gjithashtu ka sqaruar se kërcënimet me përmbarues vinë edhe përkundër faktit se janë nënshkruar marrëveshje me disa kompani, ato vazhdojnë denoncimin, përderisa nga borxhi i trashëguar prej 6 milion euro ka rënë në 1 milion euro.
Kuvendi Komunal ka miratuar edhe Draft-Statutin e Teatrit të Qytetit të Gjakovës, që do të del për diskutim të mëtejmë publik, si dhe Draft-Strategjia e Zhvillimit Socio-Ekonomik Lokal të Komunës së Gjakovës 2016-2018, për të cilat kryesuesi Luan Gola bëri të ditur se janë ngritur grupet punuese, për të kaluar më pas në shqyrtim publik.

Në pikën të renditur në të ndryshme, kryetarja Mimoza Kusari Lila ka sqaruar për një transfer të brendshëm të mjeteve financiare në shumë prej 100 mijë euro në kategorinë e shpenzimeve kapitale, ku nuk ndërrohet as kategoria, as destinacioni i tyre, porse nga projekti “Implementimi i energjisë efiçente në objektet ekzistuese komunale”, dedikohen për projektet “Masat e energjisë dhe efiçencës së energjisë në ndërtesat publike në nivel komunal” dhe “Rehabilitimi i rrjetit sekondar të ngrohjes qendrore dhe instalimi i matësve në ndërtesat publike në nivel komunal”, që të dyja në shumë prej nga 50 mijë euro. Ky ndryshim bëhet për shkak të dërgimit në Ministrinë e Financave dhe miratimit në parlamentin e Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat