Siri, trupat qeveritare hyjnë në bastionin e ISIS

Bota

Siri, trupat qeveritare hyjnë në bastionin e ISIS

Më: 4 qershor 2016 Në ora: 23:44
ISIS

Trupat siriane kanë kaluar në provincën e Rakës, duke iu afruar kryeqytetit të së ashtuquajturit Shtet Islamik.

Observatori sirian me bazë në Londër ka deklaruar se, sulmet e shumta ajrore të aviacionit rus kanë ndihmuar në ofensivën e trupave qeveritare, por për momentin nuk ka një konfirmim as nga pala siriane e as nga ajo ruse.

Aleanca e mbështetur nga SHBA mes sirianëve kurdë dhe luftëtarëve arabë filluan një fushatë në maj për të dëbuar militantët e ISIS nga veriu i Rakës.

ISIS e mori nën kontroll qytetin në vitin 2013 nga rebelët që kundërshtonin presidentin Bashar al Assad. Grupi xhihadist menjëherë ngriti bazën e tij atje dhe nisi imponimin e vizionit të tij për një shtet, duke zbatuar një interpretim të rreptë të ligjit islamik. Në vitin 2014, militantët shpallën “kalifatin”.

Observatori sirian njofton më tej se, luftime të ashpra janë verifikuar mes trupave siriane dhe militantëve të ISIS në rrugën Athria-Tabka, teksa njësitë qeveritare tentonin të lëviznin nga provinca Hama në jug-perëndim.

Ushtria siriane është përpjekur të arrijë liqenin Assad dhe rrugën kryesore që lidh Rakën me Alepon. Në Tabka ndodhet baza ajrore më e rëndësishme e marrë nën kontroll nga ISIS në gusht të vitit 2014.

Në veri të Rakës, Forcat Demokratike Siriane të mbështetura nga SHBA mendohet të kenë vendosur rreth 30 mijë luftëtarë në përpjekje për të dëbuar Shtetin Islamik./TCH

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat