Dëshmi Historike për Dëshmorin e kombit Jetullah Islami

Dokumentare

Dëshmi Historike për Dëshmorin e kombit Jetullah Islami

Nga: Mr.sc. Nue Oroshi Më: 2 qershor 2016 Në ora: 11:14
Jetullah Islami

Njerëzit e mëdhenjë në jetën e tyre sublime të gjakimit për jetë gjatë shtegtimit të dritëjetës, deri në shtegtimin e dritëvdekjes, veçohen me tipare, cilësi, atdhedashuri, flijim për të vërtetën, sakrifikim për të drejtën e kombit dhe atdheut. Njëri mes njerëzve të mëdhenjë të kombit hyn edhe atdhetari, mësues-profesori, edukatori dhe komandanti i UÇK-së prof. Jetullah Islami.

Shënime të shkurtëra biografike

Jetullah Islami u lind më 14.06.1950 në fshatin Dyz të Komunës së Besianës (Pudujevës). Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Mitrovicë, ndërsa studimet univerzitare i kreu në Univerzitetin e Kosovës në Prishtinë, në drejtimin e historisë, kurse ato posdiplomike në drejtimin e kohës së re. Punoi si arsimtar. Pas vitit 1981 për shkak të veprimtarisë patriotike e largojnë nga procesi edukativ e arsimor, detyrë e cila i mohohet deri në fillimin e viteve të nëntëdhjeta kur edhe bëhet Pavarësimi i Arsimit shqip në Kosovë. Më pas e kreu detyrën e Drejtorit të Shkollës Fillore në fshatin e tij të Lindjes, në Dyz të Besianës.

Pas shpërthimit të demostratave të vitit 1981, Jetullahu për shkak të organizimit të këtyre demostratave dënohet me disa muaj burgim, por falë qëndresës së shokëve dhe të tij përsonale, e duke mos e zbuluar njëri tjetrin, ata shpëtojnë vetëm me disa muaj burgim për mungesë të fakteve. Në vitin 1991, me rastin e formimit të Bërthamave të para ushtarake të Kosovës, Jetullah Islami zgjedhet udhëheqës i formacioneve ushtarake në Podujevë për ta mbrojtur Kosovën. Për herë të parë po e bëj publik një fakt, të një qëndrese dhe organizimi ushtarak që kishte bër profesor Jetullah Islami në vitin 1991, dhe, që personalisht vetë ma dëshmoi në nëntor të vitit 1997, në Kiel të Gjermanisë.

Me rastin e disa bastisjeve që kishin ndodhur dhe që vazhdonin të ndodhnin në fshatrat Dyz dhe Bellopojë, dëshmori i Kombit Jetullah Islami nuk pranoi nënqmimin që iu bëhej shqiptarëve në këtë kohë, por organizoi në armë këto fshatra dhe iu dolën në pritë policisë serbosllave. Pas një qëndrese të fortë, forcat policore serbe u thyen në mes të fshatrave Dyz dhe Bellopojë. Policia serbe i bie në gjurmë se kush ishte ideatori dhe organizatori i kësaj qëndrese.

Ku pas rënjes nëpër burgje të një pjese të veprimtarëve kombëtarë, e që krijuan formacionet e para ushtarake për mbrojtjen e Kosovës, si dhe arratisjes së një pjese të tyre për në Shqipëri, qëndrimi legal i rrezikohet, prandaj ai kalon në ilegalitet.Jetullahu në vitin 1994, me sugjerimin e shokëve, miqëve dhe bashkëveprimtarëve më të afërm që kishte, kalon në Shqipëri, dhe pas një vit qëndrimi në Shqipëri, në vitin 1995, vjen në Gjermani, dhe vendoset në Kiel të po këtij shteti. Me formimin e nëndegës së LDK-së në Shlesvig Holshtajn, profesor Jetullah Islami zgjidhet anëtar i kryesisë së kësaj nëndege, si dhe Delegat i Degës së LDK-së në Gjermani.

Dhe nga këtu, së bashku me shokët dhe miqtë e tij, bën organizime të shumta kombëtare, e që vlenë të veçojmë organizimin e tri Demostratave të mëdha të mbajtura në Kiel të Gjermanisë, si dhe pjesëmarrjet e shumta në protesta dhe demostrata në mbarë Gjermaninë.

Gjithashtu duke e parë nevojën e edukimit të brezave të rinjë, edhe jashtë Kosovës ai punoi për disa vite mësues i mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Kiel të Gjermanisë. Me shpërthimin e luftës së hapur në Kosovë, në vitin 1998, Jetullah Islami e la Gjermaninë dhe hyri në radhët e UÇK-së, i cili luftoi me armë në dorë deri në rënjen heroike, me 2 Qershor 1999, vetëm dhjet, ditë para lirisë së Kosovës, duke lënë si testament brezave atdhedashurinë, besën dhe burrninë, por edhe mësimin se si duhet të punohet e luftohet për atdheun dhe kombin atëherë të robëruar.

Disa tipare karakteristika, veçori dhe cilësi që i kishte dëshmori i kombit profesor Jetullah Islami

Atdhedashuria

Atdhedashuria ishte njëra ndër tiparet kryesore të Jetullah Islamit. Ai qysh herët u vue në shërbim të kombit, rrugën e vazhdoi gjithnjë duke i shërbyer kombit dhe atdheut, pa ndonjë përfitim përsonal, por vetëm me sakrificë dhe vetëflijim, deri sa me 2 qershor 1999 ra në altarin e dëshmorëve të kombit, dhe iu bashkangjit karvanit të heronjëve të tokës Arbërore, duke mbetur në panteonin e shenjtë kombëtar.

Besa dhe Burrëria

Profesor Jetullah Islami i takonte plejadës së burrave të kombit, i cili kishte tiparet e besës dhe burrërisë, ishte fjalëpakë por punë shumë. Nuk rrahte gjoks por kryente punë. Ishte i saktë, dhe çdo gjë që e bënte e bluanta, e mendonte dhe më pas nxirrte përfundimin e vet logjik, pa u ndikuar nga thashë e thënat, pa u ndikuar nga shtegëtarët amaterë të veprimtarisë kombëtare, por me burrëri të pashoqe iu dilte punëve në krye. Jetullahu ishte i fjalës dhe i besës. Nuk hezitonte, që aty për aty ta thoshte të vërtetën, qoftë ajo edhe e hidhurë për bashkëbiseduesin, por atë që e thoshte e thoshte me fakte, me forcën e argumentit, këtë ia mundësonte edhe profesioni prej historiani, se gjerat duhet të thuhen drejtë, edhe pse e drejta shpeshëherë vret.

Edukimi

Jetullah Islami kishte një edukatë të pashoqe, ai shpeshëherë të rinjët i këshillonte, mundohej t’ju tregonte rrugën e vërtetë. Puna me fëmijë i kishte mbetur peng nga Kosova, prandaj ai edukoi edhe fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë me përkushtim, duke punuar dhe mësuar fëmijëve mërgimtarë për historinë kombëtare shqiptare dhe gjeografinë e atdheut, gjeografi që për profesor Jetullah Islamin nuk kishte kufi administrativë të vendosur me dhunë, por ai fëmijët i mësonte për Tiranën e Prishtinën, Shkodrën e Qamërinë, Malsinë e Dukagjinin, Drenicën e Llapin, Shkupin e Prizrenin, Gjirokastrën e Mitrovicën, Shqipërinë e Kosovën, Qamërinë e Iliridën, me një fjalë, ai fëmijëve iu mësonte historinë dhe gjeografinë e atdheut, pa e penguar kufijtë administrativë dhe telat me gjemba të vendosura në fundshekullin e kaluar.

Ideologjia e Profesor Jetullah Islamit

Profesor Jetullah Islami ideologji e kishte atdheun, ndërsa idol Bashkimin e Kombit. Ai thoshte, citoji: “Merre cilindo shqiptarë nga të gjitha viset etnike shqiptare, ai do të jetë për bashkimin e kombit, por këtë bashkim po e pengojnë rrethanat historike që po kalon kombi ynë”.

Përjetësia

Profesor Jetullah Islami mbeti në histori për vetëflijim, heroizëm, atdhedashuri, tipare që e përcollën prej lindjes, rritjes, burrërimit e deri në pavdekësi.Veprimtaria e gjatë kombëtare dhe rënja heroike i sollën përjetsinë. Brezat në të ardhmen përmes shembullit të tij do të mësohen se si duhet të punohet dhe vdiset për atdhe.

Shkolla e fshatit Dyz, e cila ishte ndërtuar në tokën e tij që e kishte lëshuar pa asnjë kompenzim, e mori emrin e profesor Jetullah Islamit. Bashkëfshatarët në vendin e rënjes heroike i ndërtuan një lapidar në shenjë respekti dhe kujtimi, ndërsa qyteti i Prishtinës emëroi një rrugë me emrin e tij.Nuk e harruan as bashkëveprimtarët e tij në mërgim. Ku tani e 12 vite me radhë, e zhvillon veprimtarinë kombëtare Shoqata Kulturore Shqiptare “Jetullah Islami”, me seli në Kiel të Gjermanisë, e që udhëhiqet nga kolegët e Jetullah Islamit.

Përkundër këtij përjetësimi mungon edhe diçka. Mungon një lapidar përjetësie, një Monografi për arsimtarin, profesorin, intelektualin, komandantin e UÇK-ës dhe atdhetarin, i cili çdogjë shkriu për shqiptarizëm, Shqipëri Etnike e bashkim Kombëtar, që, shqiptarët të jetojnë të bashkuar, ku bukës i thuhet bukë e ujit ujë. Dhe, derisa po e përfundoi së shkruari këtë Kujtim për Profesor Jetullah Islamin, në 17 vjetorin e rënjes heroike, në vend të vendosjes të një buqete me lule pranë varrit të tij, në mendje më sillet takimi i fundit me profesorin e nderuar një ditë para se të nisej në frontin e luftës, dhe porosia e tij: nëse shpetoj do të kujdesëm, që në Kosovë gjërat të shkojnë mirë e mbarë, por kjo është luftë, e në luftë vriten luftëtarët, por unë po shkoi me vetëdije të plotë dhe i përgaditur për të dy variantët, - me tha profesor Jetullah Islami.

Derisa ai u përjetësua në legjendë, neve na mbetet ta kompletojmë përjetësinë e profesor Jetullah Islamit me një Monografi, e që do të shkruhet për veprimtarinë e tij kombëtare gjatë shtegtimit të dritëjetës, e deri në rënjen heroike, ku edhe mbeti legjendë e trimërisë, mençurisë e urtisë, dhe zuri vend të merituar në altarin e shenjtë kombëtar. Por, kjo monografi do të ishte e plotë sikur se të kemi mundësi që në të ardhmën të gjejmë edhe ditarin e luftës që e mbante me pedantëri dëshmori Jetullah Islami.

Ai përveç se atdhetar, ishte edhe historian që e dinte shumë mirë se gjërat duhet të shënohen dhe ngjarjet duhet të shkruhen ashtu siç kanë ndodhur, dhe jo siç po i shtrëmbërojnë, disa, për nevojat e politikës ditore.Vërtete jetoi pakë, por brezave të tërë dhe kombit në përgjithësi iu dha shumë, biles duke mos llogaritur as Jetë e as Familje të vet! Lavdi i qoftë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat