Ish-diplomatët: S’ka kushte për zgjedhje më 5 qershor

Maqedonia

Ish-diplomatët: S’ka kushte për zgjedhje më 5 qershor

Më: 4 maj 2016 Në ora: 18:36

Për diplomatët e huaj fundi i krizës nuk është aspak afër. Ata mendojnë se në këtë situata në të cilën është zhytur Maqedonia do të shkojë vetëm drejtë përkeqësimit dhe depresionit qytetar.

Qetësi do të ketë vetëm atëherë kur gjithë funksionarët që kanë bërë krime dhe korrupsion të gjykohen dhe dënohen në mënyrë të drejtë. Ish-euro-ambasadori Ervan Fuere dhe ish-ndërmjetësi në bisedime Peter Vanhoutte, kërkojnë të rikujtohen gjitha kritikat dhe vërejtjet në raportet e institucioneve ndërkombëtare ku Maqedonia shihet si shtet me regjim thuajse autoritar, me gjyqësor dhe administratë të politizuar dhe media të kontrolluara nga pushteti, dhe të merret mësim prej tyre se si nuk duhet vepruar.

“Frikësohem se situata është përkeqësuar dhe se demokracia në Maqedoni më nuk ekziston. Vitin e kaluar me marrëveshjen e Përzhinos u lëshua shansi për rivendsojen e demokracisë pasi pjesa më e madhe e zotimeve të partive nuk u përmbushën. Vendimi për abolim është i turpshëm, skandaloz, dhe jep mesazhin sikur kryetari është mbi ligjin dhe se gjithkush që ka shkelur ligjet mund të ikë nga përgjegjësia. Prandaj besoj se kryetari duhet të japë dorëheqje menjëherë”, ka thënë ish-ambasadori Fuere.

“Në momentin që i braktisa negociatat i tregova bashkësisë ndërkombëtare përfshirë këtu edhe Komisionin Evropian në Bruksel se konfilkti vetëm do të thellohet më tepër dhe përkeqësohet….Nuk besoj se kriza aktuale mund të tejkalohet në cilëndo fazë.

Fillimisht duhet ti zgjedhim problemet e tanishme që i kemi diskutuar me javë të tëra në grupet e punës, e më pas mund të kosiderojmë organizimin e zgjedhjeve. Dikush propozoi formimin e një Qeverie Teknike por kush do ta zgjedhë përbërjen e asaj Qeverie është pyetja”, ka thënë ish-lehtësuesi në bisedimet mes katër partive politike, Peter Vanhoutte.

Fuere vlerëson se nuk ka kushte elementare për zgjedhje më 5 qershor dhe mbajtja eventuale e tyre do të shkojë në dëm të shtetit dhe qytetarëve.

“Është e qartë se nuk ka kushte për këto zgjedhje. Duhet një qasje më serioze drejt të gjitha kushteve për organizmin e zgjedhjeve të drejta dhe demokratike. Mbajtja e zgjedhjeve në këtë situatë, vetëm më shumë do ta përkeqësoj krizën, dhe nuk do tu ofrojë qytetarëve ndjesinë se shteti po kthehet kah vlerat demokratike”, ka thënë Fuere.

Vanhoutte dhe Fuere e bënë të qartë se nuk do të heshtin atëherë kur situata është për të kritikuar, duke e përkufizuar gjendjen momentale të lirisë së shprehjes si “O je me pushtetin, o shpallesh tradhtarë”.

“Nuk lejojmë që dikush të na heshtë. Kjo pasi që ajo çfarë po ndodhë në Maqedoni është shumë e rrezikshme. Jo vetëm për demokracinë e vendit por edhe të rajonit. Duhet të jemi shumë të kujdeshëm, duhet të risjellim vlerat demokratike ku njerëzit kanë të drejtë të flasin lirshëm duke kontribuar kështu në zhvillimin e shtetit”, ka deklaruar Vanhoutte.

Diplomatët Fuere dhe Vanhoutte shprehën përkrahjen për protestën kundër abolimit të politikanëve duke vlerësuar se ai duhet të dorëhiqet menjëherë së bashku me vendimin e tij për abolim. Përfaqësuesit ndërkombëtar ende nuk e dinë nëse do të ketë rifillim të bisedimeve mes katër partive parlamentare, por theksojnë se në qoftë bisedimet ndërpriten, do të ndërpritet edhe procesi i demokratizimit dhe reformimit të shtetit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat